Maqedoni

Projekt/ligji për Prokurorinë Publike, Ramadani: Opozita destruktive mbron veten, integrimin s’e pengojnë dot grupacione

21.08.2019 14:29

Lufta kundër krimit dhe korrupcionit në nivele të larta nuk mund të mbetet peng i grupacioneve politike...

Lufta kundër krimit dhe korrupcionit në nivele të larta nuk mund të mbetet peng i grupacioneve politike të cilët duan të amnistojnë veten me ligj, thotë analisti politik Ismet Ramadani.
 
Sipas tij, pr/Ligji për Prokurorinë Publike, i cili sanksionon edhe statusin e mëtejshëm të Prokurorisë speciale, do të ishte miratuar që moti nëse partitë politike do të ishin të sinqerta në deklarimet e tyre se janë të gatshme të ndërtojnë mekanizma ligjor për të luftuar këtë dukuri. 
 
“Fatkeqësisht kur ke një opozitë destruktive, e cila përmes neneve të atij ligji dëshiron ta shpëton vetveten ose të mbron nga vetë ligji ata që janë të kriminalizuar, ata të cilët janë kompromituar dhe janë future në korrupcion, atëherë, zakonisht eskivohet, duke kërkuar qoshe dhe situata të cilat e pengojnë miratimin e ligjit”, u shpreh analisti politik Ismet Ramadani.
 
Sipas Ramadanit, opozita duhet të tregojë qëndrimin e saj rreth një projekt ligji dhe gjatë debatit parlamentar të ndihmojë në përmirësimin e tekstit e jo të insistojë që të miratohet propozim ligji i saj, pasi përgjegjësia për miratimin e ligjeve, kryesisht, bie mbi shumicën parlamentare.
 
Nëse, mosmiratimi i këtij ligji deri në qershor pengoi marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, kjo gjë nuk pritet të ndodh edhe në tetor, thekson Ramadani.   
 
“Procesi, si proces i integrimeve nuk mund të ndalet me kryeneçësi të grupacioneve të ndryshme ose destruktivitete të ndryshme sepse integrimi, respektivisht marja e datës se bisedimeve me BE-në ka dimension pak më të gjërë. Ka të bëjë me strategji, me objektivin e BE-së që Ballkani të jetë pjesë e Unionit Evropian dhe të gjitha këto teke të grupacioneve të ndryshme, të inkriminuar, do të thyhen me mjete politike dhe intervenime të cilat, nuk mund t’i durojnë ata që bëjnë obstruksione”, theksoi Ramadani.  
 
Bisedimet mes grupeve punuese të Qeverisë dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike, me të cilën zgjidhet e ardhmja e PPS-së, është në status kuo që në korrik dhe që atëherë qëndrimet e dy palëve nuk kanë ndryshuar.
 
Propozim ligji është vënë në rend dite në  seancën e Kuvendit më 27 gusht, pas kthimit të deputetëve nga pushimi kolektiv.
 
Për miratimin e  këtij ligji nevojiten 80 vota, të cilat shumica parlamentare nuk i ka pa mbështetjen e një pjese të deputetëve të opozitës maqedonase.
 
SHPËTIM NUREDINI