Maqedoni

“Monstra”, avokatët ende në pritje të aktgjykimit të shkruar

12.09.2014 15:36

Ka dy javë që gjykatësi i angazhuar në rastin “Monstra” ka shkelur Ligjin për Procedurë Penale, duke tejkaluar afatin ligjor prej gjashtëdhjetë ditësh për publikimin e aktgjykimit në formë të shkruar...

Mospublikimi i aktvendimit sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufit, pamundëson ankesën për këtë rast.
 
Avokatët mbrojtës paralajmërojnë se prej ditës së hënë do të fillojnë me reagimet e tyre te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe tek Gjykata e Apelit.
 
Paraburgimi i stërzgjatur për këta të akuzuar është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, tha Raufi.
 
“Ministria e Drejtësisë apo ministri i Drejtësisë duhet t’i tërheq vërejtje kryetarit të Gjykatës Themelore 1 ku është gjykatësi që miratoi këtë vendim, se afati ligjor është tejkaluar prej 60 ditëve. Ky afat prej 60 ditëve nuk është afat imperativ, por afat ligjor ku duhej në afatin prej 60 ditësh ky aktvendim të jetë i shkruar nga gjykatësi dhe deri tash duhej ta pranojmë, që të mund të bëjmë ankesë kundër këtij aktvendimi”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Rasufi.
 
Mungesa e provave në rastin “Monstra”, sipas Raufit, është njëra ndër arsyet dhe pengesat për përpilimin e aktgjykimit në formë të shkruar.
 
“Mendoj se arsyeja është subjektive, kushtimisht thënë faji i gjykatësit pse deri më tash nuk e ka shkruar, por sipas meje personalisht, është edhe rënd të shkruhet një vendim për njerëz kur nuk kanë faj dhe kur ka problem edhe trupi gjyqësor. Unë nuk e di se si mund të shkruhet një aktvendim ku nuk ka asnjë provë për fajin e dikujt prej këtyre të akuzuarve dhe nuk e di se çfarë analize të provave do të shkruhen, se duhet të shpjegohet në aktvendim se në bazë të cilave prova i ka dënuar këto të akuzuar me burg të përjetshëm dhe mendoj se edhe kjo është një arsye se pse vonohet me këtë aktvendim”- tha avokati mbrojtës, Naser Rasufi.
 
Raufi është i mendimit se rastin në fjalë Gjykata e Apelit duhet ta kthejë në shkallë të parë, duke pasur parasysh se gjatë këtij procesi janë bërë shkelje të mëdha të Kodit Penal dhe Ligjit për Procedurë Penale.
 
FLORIJE KAMBERI