Për të parandaluar murtajën afrikane, të dielën nis gjuajtja e derrave të egër

22.08.2019 16:01

Përshkak të parandalimit të përhapjes së murtajës afrikane të derrit....

Përshkak të parandalimit të përhapjes së murtajës afrikane të derrit, nga e diela zyrtarisht fillon gjuajtja e derrave të egër.

Nga ministria e bujqësisë informojnë se masat preventive janë të nevojshme për shkak se nuk ekziston vaksinë kundër murtajës afrikane të derrit.

Shoqatat e gjuetisë do të gjuajnë në malet në kufi të Serbisë dhe Bullgarisë, aty ku kjo sëmundje është përhapur.

Gjuajtja e një derri të egër do të shpërblehet, kurse do tu ofrohet ndihmë edhe fermave për të vendosur masat bioaktive. Kjo do ti kushtojë shtetit 60 milion denarë.                        

“Jemi fokusuar në uljen e numrit të derravre të egër. Një nga vendimet është dhënia e 1 mijë denarëve për gjuajtjen e një derri të egër. Masë tjetër e ministrisë sonë është dëmshpërblimi deri më 3 mijë denarë për fermat e vogla familjare të cilët nuk munden ti sigurojnë masat themelore bioactive. Sipas statistikave janë diku 2 mijë ferma” – deklaroi Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski.

Nga federata e gjuetisë nuk pajtohen që edhe ushtria të përfshihet në gjuajtjen e derrave të egër. Gjithashtu sipas tyre afati 10 ditor për të gjuajtur 50% të derrave të egër është i parealizueshëm.

“Kemi propozuar dhe mbështesim masa bioaktive, por në emër të federatës dhe në emër të koncesionerëve kundërshtojmë mundësinë e kyçjes së ushtrisë në zbatimin e gjuajtjes së derrit të egër dhe kundërshtojmë vendosjen e ultimatumit kohor prej 10 ditësh për realizimin e 50% të gjuetisë së planifikuar vjetore, për shkak se 50 përqindëshi është shumë i vështirë për tu realizuar për 10 ditë” – u shpreh Kryetari i Federatës së Gjuetarëve të RMV-së, Vllatko Aleksovski.

Nga NP Pyjet e Maqedonisë thonë se janë të gatshëm për këtë aksion.

“Kemi roje të malit, kemi njësi të sigurisë nga ana e Federatës së Gjuetisë, ashtu që mendoj se duhet të jetë i kujdesshëm secili gjuetar se si sillet në pyll” – tha Drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Zoran Georgiev.                                                                       Murtaja afrikane e derrit ende nuk është përhapur në Maqedoninë e Veriut, por autoritetet e shohin të arsyeshme marrjen e masave parandaluese. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)