Shpërndahet kuvendi, Kosova shkon në zgjedhje të parakohëshme

22.08.2019 17:29

Me 89 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër Deputetët e Kuvendit të Kosovës....

Me 89 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë vendim për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë.                     

“Kuvendi vendosi shpërndarjen e legjislaturës së 6 të kuvendt të RP-KS. Vendimi i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për dekretim. Urime gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës” – deklaroi Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.          

Veseli si kryetar i PDK-së poashtu ka paralajmëruar kandidaturën e tij për kryeminsitër. Kryministri i deritanishëm Ramush Haradinaj, poashtu e përshëndeti vendimin e deputetëve dhe vlerësoi se me këtë fiton Kosova.                         

“Me shpërndarjen e Kuvendit është dëshmi pjekurisë politike e demokracisë sonë, dhe kështu besoj se tani me qytetarët e vendit me ketë pjekuri do ta shfrytëzoj të drejtën e vet se si do ecë tani Kosova” – u shpreh Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Edhe partitë opozitare Lëvizja “Vetëvendosje”, dhe LSDK përshëndetën shpërbërjen e kuvendit, ndërsa theksuan se vazhdojnë bisedimet për koalicion mes këtyre partive, ndërsa vlerësuan se qeveria e deritanishme ishte më e dëmshmja deri tani për Kosovën.                                                       

“Ne konsiderojmë që shteti i kapur i Kosovës është pikërisht i tillë për shkak të PDK-së, e cila e ka uzurpuar shtetin. Ne nuk hyjmë në koalicione me ata që ishin pjesë e kësaj qeverie. Pra këta që kanë qeverisur,  nuk do të duhet të qeverisin më” – tha Kryetar i VV-së, Albin Kurti.

“Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si Qeveria më e madhe në botë. Me 454 të emëruar politik.  Kryeministri me 35 këshilltarë, 5 zëvendëskryeministra me 55 këshilltarë, 21 ministra me 147 këshilltarë, 80 zëvendësministra me 80 këshilltarë, me pesë kordinator. Qeveria e PAN-it me vendime jo-ligjore e ka dëmtuar buxhetin me rreth 200 milion euro” – deklaroi deputeti i LDK-së, Avdulla Hoti.

Pak minuta pas votimit të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit, kreu i legjislaturës së gjashtë, Kadri Veseli e ka nënshkruar këtë vendim.

Atë i’a ka nisur Presidentit Hashim Thaçi, ndërsa ky i fundit nëpërmjet një komunikate për media ka deklaruar se së shpejti do të merr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Pas shpërndarjes së kuvendit zgjedhjet e parakohshme caktohen nga presidenti jo me vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes, thuhet në ligjin për zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe me vonë ose 45 ditë pas shpërndarjes së kuvendit. (Gyltene Sinani, TVM2)