Basketboll
SHBA-ja finalistja e parë
12.09.2014 15:52
Ndodhi ashtu siç pritej, megjithëse nuk parashikohej edhe me kaq lehtësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Ndodhi ashtu siç pritej, megjithëse nuk parashikohej edhe me kaq lehtësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajnë në finale të Kampionatit Botëror që po mbahet në Spanjë, pas fitores me epërsi të lartë prej 28 pikëve ndaj Lituanisë me shifrat 96:68.
Lituania ishte kundërshtare deri diku rivalizuese për SHBA-në gjatë pjesës së parë të ndeshjes, ndërsa me fillim të çerekut të tretë rivaliteti u zhduk nga fusha, pasi amerikanët ishin të pandalshëm duke krijuar epërsi të thellë pas serive të njëpasnjëshme.
Kajri Irving me 18 pikë e 4 asistime ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes, derisa atë e shoqëruan Xhejms Harden dhe Klej Tompson që shënuan nga 16 pikë secili. Në anën tjetër, Mindaugas Kuzminskas dhe Xhoan Valansiunas u dalluan me nga 15 pikë.
Amerika siguron finalen e madhe të Botërorit 2014, dhe kjo skuadër është në rrugën te mirë që të bëhet skuadra e parë që fiton dy herë radhazi këtë trofe, ndërsa për titullin e pestë të kampionëve botërorë në basketboll do të luajë me fituesin e ndeshjes ndërmjet Francës dhe Sërbisë që zhvillohet sonte me fillim më orën 22. Ndërkaq finalja luhet të dielën më orën 21 në Madrid.
ARTAN ZIBERI