Titanik, shtyhet seanca për 4 shtator
Gjykimi për parregullsitë zgjedhore “Titanik”...

Gjykimi për parregullsitë zgjedhore “Titanik” është shtyrë për 4 shtator, ne kërkesë të prokurores të PSP-së Lile Stefanova.
Shtyrja është kërkuar pasi mbrojtja e të akuzuarve propozoi ndërprerje të procedurës për “Titanik” deri në zgjidhjen e situatës me prokuroren publike Katica Janeva, e cila sipas tyre është e vetmja që është kompetente t’i përfaqësojë lëndët e PSP-së.
Prokurorja Stefanova në lidhje me propozimin e mbrojtjes tha se PSP vlerëson se autorizimet e Janevës ende janë të vlefshme edhe pse është jokontestues fakti se ajo gjendet në paraburgim për rastin “Zhvatje”.
Stefanova, pas mbajtjes së seancës së sotme, tha se mbrojtja nuk ka kërkuar përjashtimin e saj apo të Katica Janevës, por ka prezantuar më shumë hollësi për shkak të cilave kërkon ndërprerjen e debatit.
“Sot nuk u kërkua përjashtimi im. Nuk u kërkua përjashtim i Katica Janevës, por u kërkua ndërprerje e procedures. Në sallën e gjyqit theksova. Unë personalisht vlerësoj se kam autorizim ta zhvillojë procedurën dhe sot të veprojë, megjithatë dua të jap hapësirë të mendojmë mirë dhe të shohim çka mëtutje” – deklaroi Prokurorja Publike, Lile Stefanova.
Edhe pse Stefanova tha se ka të drejtë ta zhvillojë seancën për rastin e PSP-së “Titanik”, avokati Dimitar Dangov kërkoi që prokurorja Lile Stefanova të përjashtohej nga përfaqësimi i çështjes.
“Në lidhje me prokuroren Lile Stefanova, për të cilën të gjithë në sallë kanë respekt, ajo nuk ka të drejtë të përfaqësojë këtë çështje. Kjo ishte për shkak të veprimeve juridike në rastin ‘Zhvatje’” – u shpreh avokati Dimitar Dangov.
I pandehuri Ilija Dimevski tha se kërkon që seanca kryesore për rastin “Titanik” të pezullohej derisa të përfundojnë procedurat e Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Kuvendit për Katica Janevën, sepse nuk është e sigurt nëse rastet e tjera të Janevës, sipas tij, janë të infektuar me dyshime serioze, haraç ndaj biznesmenëve dhe shantazhe ndaj politikanëve. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
