Maqedoni

Integrimi euro-atlantik, Pendarovski: Kyç për demokratizimin e Ballkanit

24.08.2019 15:14

Presidenti Stevo Pendarovski vlerëson se Maqedonia e Veriut nuk synon të jetë një anëtare e thjeshtë nominale e NATO-s, por një anëtare e cila aktivisht do mbështesë sigurinë globale....

Në fjalimin para pjesëmarrësve në punëtorinë rreth komunikimeve strategjike dhe integrimeve euroatlantike: Implikimet për vendet e Ballkanit Perëndimor,  që po mbahet në Ohër, Pendarovski përkujtoi luftrat e përgjakshme etnike në rajon, konfliktin e vitit 2001, vitet e gjata të regjimit autoritar sic i cilësoi, të cilat sipas tij, kanë shtyrë integrimin tonë euroatlantik. Përkujtoi se vendi ishte edhe cak i ndikimit të dëmshëm nga palët e treta që dëshironin të pengonin  verdiktin e qytetarëve dhe të parandalonin formimin e Qeverisë demokratike. Pendarovski thotë se ndikimet ende janë të pranishme në vend e rajon, e për këtë arsye është e patjetërsueshme që Ballkanit Perendimor t’i hapet perspektiva europiane. 
 
“Perspektivat e integrimeve euroatlantike vazhdojnë të jenë faktor kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e demokracisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe sot. Progresi lidhur me integrimet euroatlantike si dhe perspektiva evropiane e rajonit është i dukshëm. Jam i bindur se ajo agjendë e dyfishtë integruese është situatë “uin uin” edhe për rajonin edhe për NATO-n dhe BE-në nga ana tjetër. Jam i vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballet BE-ja, megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm se rajoni duhet të ketë perspektivë evropiane”, tha Pendarovski.
 
Përfaqësuesit ndërkombëtarë: Vazhdoni reformat, përparimi duhet të njihet
 
Përfaqësuesit ndëkrombëtarë në vend pranuan rrugëtimin pozitiv që ka bërë Maqedonia e Veriut drejt NATO-s, por përkujtuan se reformat duhet të vazhdojnë.
 
“Shteti arriti në tentimet që të zgjidhen çështjet shumëvjeçare me fqinjët, i zbaton reformat e nevojshme, i zhvillin institucionet edhe atë jo vetëm për shkak të anëtarësimit në BE dhe NATO, por edhe për shkak të ndërtimit të një shoqërie më të sigurt dhe prosperuese. Ka edhe shumë që duhet të bëhet, por kaluat një rrugë të gjatë dhe të mundimshme dhe atë për një kohë të shkurtër, e kjo  duhet të pranohet”, tha Kejt Mari Bërns, ambasadore e SHBA-ve në RMV.
 
“Maqedonia e Veriut si shtet i vetëm i rajonit që i ka zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët, mund të ketë rol të rëndësishëm në promovimin e konceptit për promovimin e Ballkanit Perëndimor. Vazhdoni punën për Sundimin e së drejtës dhe stabilitet ekonomik . Është edhe interesi i autoriteteve gjermane t’i mbështesin përpjekjet e tilla si në vend ashtu edhe në rajon”, tha Oto Graf, përfaqësues i ambasadës së gjermanisë
 
“Në pajtim me procesin për inkuadrim në NATO, shteti ka ndërmarrë detyrime që t’i zbatojë reformat, një pjesë e kësaj janë edhe reformat në gjyqësi. Ekzistojnë çështje që duhet të përfundohen deri në anëtarësimin e plotfuqishëm”, tha Zoran Jankoviq, shef i zyrës për ndërlidhje të NATO-s në Shkup.
 
Nga zyra për ndërlidhje e NATO-s Shkup, përkujtuan se tashmë 19 shtete-anëtare e kanë miratuar protokollin për anëtarësim, me pritje se edhe anëtaret e tjera do ta bëjnë këtë shumë shpejt.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU