Maqedoni

Fraj: Mos humbisni përparësitë e BE-së për shkak të krenarisë

12.09.2014 16:07

Deputeti gjerman, Torsten Fraj, nga radhët e partisë në pushtet, CDU, i bën thirrje autoriteteve në Maqedoni të punojnë më shumë në sferat e të drejtave të njeriut...

Deputeti gjerman, Torsten Fraj, nga radhët e partisë në pushtet, CDU, i bën thirrje autoriteteve në Maqedoni të punojnë më shumë në sferat e të drejtave të njeriut, sigurinë juridike, lirinë e të shprehurit dhe të mediumeve, si dhe rreptësisht të plotësojë kriteret nga Mastrihti.
 
Por, punët që duhen bërë, sipas tij, nuk i nënvlerësojnë reformat e arritura  me statusin e vendit kandidat dhe rekomandimin nga Komisioni Evropian për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE.
 
Në një intervistë për “Nova Makedonija”, Fraj deklaron se është takuar me negociatorin për çështjen e emrit, Vasko Naumovski dhe ka fituar ndjesinë se mund të sjellë stimul të ri për këtë çështje.
 
“I kam treguar se zgjidhja e kësaj çështje është kyçe për zhvillim të mëtutjeshëm të vendit. Në të njëjtën kohë kam theksuar se të mirat e vendit dhe prosperiteti i qytetarëve nuk duhet të varen nga emri. Kam këshilluar gjithashtu që seriozisht të diskutohet për një kompromis me të gjitha palët e përfshira. Maqedonia nuk duhet të lëshojë përparësitë që vijnë me anëtarësimin në BE vetëm për shkak të krenarisë”- ka thënë Fraj.
 
Në bisedimet me Greqinë, Maqedonia ka përkrahjen e plotë të Gjermanisë, qëndrim ky që përherë është theksuar edhe nga kancelarja Merkel. “E dimë se Maqedonisë i nevojitet përkrahje nga jashtë në këtë situatë edhe atë posaçërisht nga Gjermania”.
 
Deputeti gjerman vlerëson se Maqedonia ka pasur një përparim të rëndësishëm viteve të fundit në politikën ekonomike, rritjen e investimeve dhe avancimin e sistemin arsimor në drejtim të duhur.
 
SANIJE KASAMI