Maqedoni
Ligji për PTHP-në, Zaev: Duhet zgjidhje, grupet mblidhen të hënën
24.08.2019 15:27
Fati i PSP- së është ende i paqartë....

Partitë nuk kanë arritur të dakordohen deri tani për ligjin mbi prokurorinë publike, ku Specialja vazhdon të mbetet pika e nxehtë e debatit. Përpjekja e radhës ëhstë të hënën, një ditë para se ligjji të debatohet në seancë plenare. Por a i ka maxhoranca numrat e nevojshëm. Vështirë marrë parasysh faktin se deri më sot, VMRO e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të lëshojë pe nga kërkesa që asnjë rast i hapur nga PSP pas skadimit të afatit ligjor, të mos merret parasysh. Rastet e tjera sipas opozitës, duhet të ridrejtohen në prokuroritë kompetente.
Kryeministri Zaev megjithatë është optimist se do të gjendet konsensus me opozitën. Kreu i ekzekutivit thotë se në ligjin e ri janë përfshirë 80% e kërkesave të VMRO-së dhe ka shkrirje të PSP-së me Prokurorinë për Krim të Organizuar, gjë që siguron të ardhmen e Speciales. Zaev përkujton deputetët se ditët kur duhet të sillet ligji, janë nga fundi. Kryeministri njëkohësisht kërkon edhe zgjidhje për zgjedhjen e përkohëshme të ushtruesit të detyrës kryeprokuror special.
“Tani menjëherë duhet të gjendet zgjidhje për ushtrues detyre të kreut të PSP-së si zgjidhje e përkohshme, pastaj besoj se të gjitha partitë politike mund të gjejmë zgjidhje konsensuale dhe jo më vonë se 15 shtator për Ligjin e ri të Prokurorisë publike. Grupet e punës vazhdojnë me punë të hënën dhe e di se është e tejkalueshme ajo që duhet ta zgjidhim, kuptohet duke respektuar “linjat e kuqe”, ndërsa ajo është e ardhmja e PSP-së, Kushtetuta, ligjet…gjithçka zgjidhet nëse ka përgjegjësi në shtet. Bëj apel deri te organet e gjyqësisë të sjellin vendime të shpejta pasi nuk guxon të lejohet jo një ditë, as edhe një sekondë, çfarëdo lënde të rrezikohet, pasi gjyqësia punon me afate dhe besoj se asnjë proces nuk do të rrezikohet”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Të premten në Këshillin e Prokurorëve ka mbërritur raporti i Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit për rastin Zhvatja dhe për hetimin kundër Katica Janevës . Pikërisht në bazë të këtij raporti Këshilli duhet të vendosë nëse do të kërkohet shkarkimi i kryeprokurores speciale të dorëhequr, mandati ligjor i së cilës skadon më 15 shtator.
Procedura për zëvëndësimin e saj , është jashtëzakonisht e ndërlikuar , fati i Speciales është në dorë të vendimit të deputetëve të martën, vendim që ende mbetet i paqartë me rezultati pozitiv i pasigurtë. Megjithatë nga qeveria thonë se po shqyrtohen edhe mundësi të tjera nëse ligji nuk kalon në parlament, por nuk kanë dashur në asnjë moment të zbulojnë se cili mund të jetë variant B i ekzekutivit, për ti dhënë edhe një herë shancin e fundit të hënën, dialogut në grupet e punës.
