Botë
“Lista Serbe” dëshmon rolin në skenën politike të Kosovës
12.09.2014 16:11
Marrveshja mes Vendvendosjes dhe bllokut opozitarë, LDK, AAK, Nisma duket se ka shqetësuar deputetët e “Listës Serbe”...

Marrveshja mes Vendvendosjes dhe bllokut opozitarë, LDK, AAK, Nisma duket se ka shqetësuar deputetët e “Listës Serbe”, prandaj me kërkesë të tyre është shtyrë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për më 18 shtatorë.
Shtyrja e seancës u njoftua nga Kuvendi i Kosovës pas takimit konsultativ të kryesueses së seancës konstituive, Flora Brovina, me kreun e PDK-së, Hashim Thaçin dhe subjektet nga radhët e komuniteteve pakicë, ku përfaqësuesi i “Listës Serbe”, Aleksandër Jabllanoviq, ka thënë se kësaj liste i duhen konsultime shtesë me Beogradin, pasi sipas tij, dihet botërisht qëndrimi i lëvizjes Vetëvendosje për revidimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Pas shtyrjes së seancës, blloku opozitarë ka mbajtur sot një takim konsultativ, pas të cilit liderët e bllokut e kanë quajtur skandaloze dhe të papranueshme shtyrjen e seancës konstituive, duke vlerësuar se Flora Brovina me këtë i ka shërbyer vetëm PDK-së.
Kreu i AAk-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo që po e bllokon krijimin e institucioneve është vetë PDK.
“Secila parti që ka shqetësime mund t'i paraqesë edhe në seancë, është plotësisht jashtë logjikës të shtyhet seanca për arsye të vogla. Kjo më shumë është një ndihmesë që po i bëhet PDK-së nga ana e kryesueses dhe është vazhdim i bllokadës institucionale. Kjo bllokadë nuk mund të tejkalohet pa e kuptuar PDK-ja që askush nuk dëshiron të bëhet pjesë e mënyrës së keqe që ata qeverisin”- ka thënë Haradinaj.
Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur të pashembullt shtyrjen e seancës konstituive për javën e ardhshme. Po ashtu, Mustafa ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen e bllokut në takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëse kjo e fundit do t’i ftonte javën e ardhshme.
Analistët politik në Kosovë, për mediet e atjeshme kanë deklaruar se pas shtyrjes së seancës edhe më shumë është komplikuar situata me konstituimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, pas të cilave PDK e Hashim Thaçit u radhit e para, por nuk po arrin të sigurojë partner tjetër për bashkëqeverisje, meqë LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma janë shprehur kategorikisht kundër një koalicioni me PDK-në dhe insistojnë në formimin e Qeverisë nga ana e bllokut opozitar.
GYLTENE SINANI
