Maqedoni

Katica Janeva në repart të posaçëm, Rahiq: Vështirë ta përzienim me profilet e tjera

25.08.2019 15:04

Prokurorja speciale Katica Janeva është vendosur në një repart të posaçëm në burgun e Shutkës...

Por drejtori i këtij burgu , këtë ndarje të kryeprokurores speciale nga pjesa tjetër e të burgosurave, nuk e shikon si privilegj. Esad Rahiq, në një intervistë për Radio Europën e Lirë, thotë se kjo ndarje ka ardhur jo vetëm për shkaqe sigurie por edhe për arsye shëndetësore. Madje pranon se një e paraburgosur VIP, sigurisht që nuk mund të trajtohet si të tjerat. 
 
“Në parim asnjë person I burgosur nuk lihet vetëm, gjithnjë duhet të ketë edhe një person tjetër me të. Megjithatë, marrë parasysh që bëhet fjalë për një person që ka qenë prokuror special, e meqë gjithcka ndodhi shumë shpejt, vlerësuam se për një periudhë të caktuar duhet të bëjmë vlerësimin e sigurisë dhe aspektit shëndetësor dhe e vendosëm në një hapësirë adekuate. Jemi pak të kufizuar me hapësirat, kemi vetëm tre të tilla dhe për herë të parë që nga vendosja e masës së paraburgimit në burgun tonë, na ndodh të kemi rreth 18-20 gra, më së shumti kemi pasur 3 ose 4. Janë hapësira të mëdha, qeli ju themi,  në të cilat ka nga 4 , 5 ose 6 gra.  Është paksa e pakëndshme ka profile të ndryshme të grave brenda, kemi gra të dënuar për vrasje dhe pak është e vështirë të inkorporoni një profil të tillë si zonja Janeva mes atyre personave. Por ne bëjmë punën tonë, pra  ajo është e vendosur në mënyrën më të mirë që kemi mundur ta bëjmë”, tha Esad Rahiq, drejtor i burgut të Shutkës.
 
Rahiq për REL: Në burgun e Shutkës gjen celular për 200 euro 
 
Përvec Janevës trajtim VIP ka edhe për të paraburgosurit e tjerë në rastin Zhvatja. Megjithatë Rahiq sqaron se ka edhe tre persona të tjerë që janë në hapësira të vecanta e që nuk kanë lidhje me rastet e PSP-së, por janë ndarë sepse ashtu është vlerësuar se është më mirë. Megjithatë, të burgosurit VIP janë më me interes për opinionin. E si të tillë ndodh edhe të fotografohen nga të burgosurit e tjerë ose nga vetë rojet. E për të pasur privilegjin e një telefoni celular, nuk është edhe aq e vështirë.  Mjafton të keni 200 euro për tu dhënë njerëzve të duhur. Rahiq pranon se në burg ekziston një grup i vogël i korruptuar të cilët punojnë dhe arrijnë të “fusin” brenda edhe celularët e ndaluar.
 
“Varësisht kush e blen dhe sa ka nevojë për të, një celular mund të shitet për 200 euro, pak a shumë. Vetëm javën e kaluar janë konfiskuar rreth 15 celularë …Për momentin kemi hapur procedurë ndaj një rojeje pas deklarimit të një të burgosuri se ia ka dhënë paratë por nuk e ka marrë telefonin e porositur. Kërkuam që ai të sanskionohet”, tha Rahiq
 
Rahiq është pyetur edhe për rrahjen mes dy të paraburgosurve VIP, ish ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski me të burgosur tjerë, rrahje kjo që detyroi paraardhësin e tij, Kotevski,  të japë dorëheqje. Rahiq e cilëson rrahjen si kurdisje klasike për të mundësuar daljen nga burgu të disa prej pjesmarrësve në të. 
 
MIGENA GORENCA