Maqedoni

Prej të hënës, vetëm një ndalesë në Tabanoc

25.08.2019 15:28

Prej nesër në vendkalimin kufitar në Tabanoc do të ketë menaxhim të përbashkët të kufirit...

Prej nesër në vendkalimin kufitar në Tabanoc do të ketë menaxhim të përbashkët të kufirit, procedurë kjo që do të zvogëlojë kontrollet dhe do ta përshpejtojë lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave. Me këtë koncept, që për herë të parë Maqedonia e Veriut e vendos me Serbinë, pritet që të zvogëlohet dyfish koha e pritjes.
 
Fillimin e projektit ‘One stop shop’ e inaugurojnë kryeministri Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Ky koncept përfshin procedura më të thjeshta, që zbatohen në një vendkalim të përbashkët, duke minimizuar numrin e ndalesave, pasi  kontrolli i udhëtarëve dhe mallrave bëhet në një vend.
 
Për udhëtarët dhe transportuesit që vijnë nga Serbia, kontrolli do të bëhet në Tabanoc nga  shërbimi kufitar serb, kontrollin për ata që udhëtojnë drejt Serbisë, do ta kryejnë shërbimet e Maqedonisë në vendkalimin kufitar në Preshevë.
 
Sipas autoriteteve, doganimi i përbashkët, do të mundësojë edhe harmonizim më të lartë të kontrolleve kufitare, si dhe do ta zvogëlojë mundësinë për mashtrime doganore.
 
Kontrolli i përbashkët krahas vendkalimin kufitar në Tabanoc, po përgatitet edhe në vendkalimin kufitar hekurudhor në Tabanoc dhe në Qafëthanë drejt Shqipërisë.