Maqedoni

A funksionon ndërgjegjja qytetare për pastërtinë e ambientit?

12.09.2014 16:17

Vetëm një javë më parë, TVM-2 solli pamje shqetësuese nga vendbanimet tona. Të gjithë jemi dëshmitarë të hedhjes pa kujdes të mbeturinave edhe aty ku nuk duhet të hidhen...

Sot, pamja është krejt ndryshe. Prej dje, autoritetet në Komunën e Çairit bashkë me Higjienën Komunale kanë ndërmarrë “pastrimin gjeneral” të Komunës.
 
Rrugët janë larë dhe fshirë, janë ndërruar edhe shumica e kontejnerëve me të rinj dhe pritet që shumë shpejt të gjithë kontejnerët e vjetër të ndërrohen. Ky pastrim nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga qytetarët. 
 
“Me vjen shumë mirë që u ndërruan kontejnerët në Çair, megjithatë është e padobishme të ndërmerren masa të tilla nëse qytetarët nuk e respektojnë higjienën e përgjithshme, duhet të gjithë të jemi pjesëmarrës që të bëhet qyteti i pastër sikur në vendet perëndimore”- deklaroi një qytetare.
 
“Mendoj se duhet, se nëse nuk e ke pastërtinë s’ke as shëndet. Qytetarët duhet të kujdesen”- theksoi një qytetarë.
 
”Duhet vetë ta mbajnë, qytetarët”- potencoi një qytetarë.
 
“Njerëzit dhe Higjiena Komunale, tjetër kush mund të kujdeset”- tha një qytetare.
 
“Këto mirë janë nuk është keq, por ne s’jemi të kulturës, mbeturinat duhet t’i hedhim në kontejner e jo t’i lëmë kudo”- u shpreh një qytetare.
 
“Përgjegjësia i bie qytetarëve”- theksoi një qytetarë.
 
Tani na mbetet puna më e vështirë. Të gjithë duhet të pyesim veten se ku duhet t’i hedhim mbeturinat, sepse po aq shpejt sa u pastruan, vetë ne jemi në gjendje për një ditë sërish ta bëjmë pis lagjen tonë. Po atëherë fajin nuk do ta kenë autoritetet, por ne vetë. 
 
Higjiena Komunale dhe Komuna e kryen detyrën e tyre për pastrimin e tërësishëm të mbeturinave në Çair, tani përgjegjësia na mbetet neve qytetarëve të kujdesemi dhe të ruajmë ambientin ku jetojmë. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI