Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, Ahmeti: Është jehonë e keqe për drejtësinë

25.08.2019 16:56

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, e ka cilësuar më shumë se një skandal përfshirjen e dyshuar të kryeprokurores special në rastin Zhvatja....

Sipas tij, ky rast është një jehonë e keqe për drejtësinë në vend. Lideri integrist përkujtoi në thënien se lakmia prish gjithkënd, por hedh poshtë teoritë për ndonjë skenar të mirëpërgatitur dhe e cilëson si lakmi eventuale personale. 
 
“Nuk e di se sa ka vend këtu që të mendohet se ka skenar. Populli ynë e ka një shprehje një filozofi të jashtëzakonshme “lakmia e prish çdo kënd” unë mendoj që këtu është punë lakmie. Nuk ka këtu të bëj çështja me ndonjë skenar sipas vlerësimeve të mia. Për të hyrë në këto skema se ka skenar këtu apo atje kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën. Këtu duhet punuar me insistim, e vërteta të del në sipërfaqe. Kushdo qofshin ato të cilët janë të përfshirë në këtë skandal lë të përgjigjen përpara drejtësisë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
 
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, Ahmeti: Veting dhe transparencë për sukses
 
Sipas Ahmetit, vetëm një veting rrënjësor në cdo institucion e ndaj cdo funksionari të zgjedhur apo emëruar, do të zhdukte krimin dhe korrupsionin duke cliruar kështu edhe institucionet . 
 
“Ne angazhohemi për këtë filozofi, të kemi vetting në këtë vend për të gjitha institucionet. Të kemi transparencë në të gjitha institucionet e vendit, duke filluar që nga organet më të larta shtetërore deri te ata komunale dhe e tërë kjo filozofi mund të na çojë tek një sukses në luftën kundër krimit , korrupsionit si dhe rritjes së cilësisë së jetës së njerëzve qoftë si jetë e çdo individi por qoftë edhe si cilësi, vlerë në arsim, kulturë, shëndetësi”, tha Ahmeti.
 
Sipas Ahmetit, vetëm duke respektuar këto parime mund të ndërtohet shtet i së drejtës, të zhvillohet shoqëria dhe vendi të jetë i gatshëm për t’u integruar në Bashkimin Europian që si vlerë kryesore ka pikërisht parimin e drejtësisë që vlen njësoj për të gjithë. 
 
MIGENA GORENCA