Maqedoni

Shoqata “Fortesa” prezenton etnokulturën kërçovare në festivalin ndërkombëtar “Etno Fest” të Prishtinës

25.08.2019 17:54

Edicioni i 9-të me radhë i festivalit Etno Fest që mbahet në etnokompleksin e fshatit Kukaj të komunës së Prishtinës...

Edicioni i 9-të me radhë i festivalit Etno Fest që mbahet në etnokompleksin e fshatit Kukaj të komunës së Prishtinës, përmes 9-të shtyllave tematike ka shpalosur një program të ngjeshur dhe përmbajtësor, të njohjes dhe promovimit të vlerave etnokulturore nga mbarë hapësirat shqiptare, përfshirë këtu edhe programet e grupeve artistike nga vendet e rajonit dhe më gjërë. 
 
Dita e pestë e festivalit me përmasa ndërkombëtare Etno Fest, filloi me aktivitete të ndryshme tematike ndërsa vëmendjen e publikut, e në veçanti të grupeve artistike të ardhura nga vendet perëndimore, në mbrëmjen e pestë të këtij evenimenti, e tërhoqi  programi i shoqatës Fortesa, e cila në mënyrë dinjitoze prezentoi vlerat etnokulturore të trevës së Kërçovës, valle instrumentale me kavalla, këngë polifonike të rrethit të Kërçovës dhe dokumentarin filmik “Ritet e dasmës kërçovare”, një projekt i realizuar nga shoqata Fortesa, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Kërçovës.
 
Në prezentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Kërçovës në festivalin Etno Fest, mori pjesë edhe kryetari i Këshillit të komunës së Kërçovës Dr. Aqif Mehdiu, i cili i shprehu mirënjohje drejtorisë së këtij manifestimi dhe falenderoi shoqatën Fortesa dhe grupin polifonik për prezentimin autentik të melosit burimor dhe traditave etnokulturore të Kërçovës.
 
Në kuadër të këtij programi, u prezentua edhe kostumografija tradicionale e rrethit të Kërçovës dhe gatimet tradicionale të trevës së Kërçovës.
Shaban Dalipi,  25 gusht 2019