Botë

CIA: ISIS ka rekrutuar 31 mijë militantë

12.09.2014 16:30

CIA, trefishon vlerësimin për numrin e luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke njoftuar se grupi mund të ketë në përbërje deri në 31 mijë militantë në Irak dhe në Siri...

Një zëdhënës i agjencisë theksoi se vlerësimi i ri bazohet në një rishikim të raporteve të inteligjencës nga maji në gusht.
 
Shteti Islamik ka nën kontroll territore të gjera në Irak e Siri dhe ka vrarë në mënyrë publike disa pengje, përfshirë edhe dy gazetarë amerikanë, në shenjë proteste ndaj sulmeve ajrore amerikane në Irak. 
 
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, viziton Turqinë, në kërkim të edhe më shumë mbështetje në koalicionin e gjerë që Uashingtoni dëshiron të formojë në betejën kundër militantëve të Shtetit Islamik. 
Në Irak, ndërkohë po qëndron presidenti francez Fransua Hollande.
 
Mbrëmë, 10 vende arabe ranë dakord të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të sulmojnë grupin si në Irak ashtu edhe në Siri. 
 
CIA, më parë besonte se Shteti Islamik kishte në përbërje rreth 10 mijë luftëtarë dhe të dhënat e reja vijnë një ditë pasi presidenti amerikan, Barack Obama, paraqiti planin e tij për të degraduar dhe shkatërruar grupin xhihadist dhe rritjen e mbështetjes për forcat aleate të angazhuara në luftën ndaj tyre.
 
Për herë të parë, ai autorizoi sulme ajrore kundër grupit edhe në Siri.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU