Maqedoni

Pendarovski-Dimitrov: “Zhvatja” s’mund të jetë njollë për marrjen e datës

26.08.2019 16:19

Presidenti Stevo Pendarovski nuk pret që hetimet për rastin “Zhvatja“ të ndikojnë negativisht në marrjen e datës për fillim të negociatave....

Sipas tij, “ Zhvatja” nuk është në mesin e kushteve që BE kërkon nga vendi e nuk do të jetë deri në tetor. Por alarmon se nëse nuk mbahet ritmi gjatë hetimeve, rasti mund të shkaktojë probleme në të ardhmen.
 
“Në këtë moment nuk është, vlerësimi im dhe I yni, është se nuk do të jetë deri në fund të vitit, sepse kjo që  bënë deri tani organet e autorizuara shtetërore, ishte reagimi i duhur. Megjithatë, rasti është kompleks, t’i lëmë organet e autorizuara të vazhdojnë të punojnë. Në qoftë se nuk vazhdojnë me këtë ritëm, me këtë gjërësi dhe thellësi me të cilën kanë filluar, mund të bëhet njollë. Por, tani nuk është dhe nuk do të jetë deri në tetor”, tha presidenti Stevo Pendarovski.
 
Edhe ministri I jashtëm Dimitrov thotë se për momentin “Zhvatja nuk është një njollë që mund të pengojë marrjen e datës. Thotë megjithatë se angazhimi serioz për vazhdimin e hetimeve për këtë rast në mënyrë transparente e të paanshme, njëkohësisht edhe miratimi i ligjit për PTHP-në  që zgjidh edhe statusin e  Speciales, janë kontribut i madh për vendim pozitiv në tetor.
 
“Nuk mund të them nëse është njollë ose kusht, megjithatë sa më shumë që ecim në drejtimin e duhur edhe në raport me hetimet, kjo do të jetë ndihmë që diplomatët tanë dhe kreu politik i shtetit të sigurojnë vendim pozitiv në tetor… Suksesi i deritanishëm i punës së PSP-së, resurset e krijuara, duhet të vazhdojnë të ndërtohen, të ndiqet korrupsioni në nivele të larta jo vetëm në kuadër të krizës së viteve 2015-2016, por kurdo. Nuk është sekret që kjo është me shumë rëndësi për disa prej vendeve anëtare", tha Nikolla Dimitrov, ministër i punëve të jashtme.
 
Dimitrov potencoi megjithatë se ka shumë rëndësi edhe ndihma e mediave, në kuptimin e transparencës dhe fokusit në informim dhe kërkoi që të gjitha raportimet të jenë në drejtim të raportimit të paanshëm, thelbësot e të bazuar në fakte, që të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
 
FITIM KRYEZIU