Maqedoni

Analistët: Kritikat nga SHBA të merren seriozisht

12.09.2014 16:42

Deklarata e një dite më parë e ambasadorit të ShBA-ve në Shkup, Pol Volers, është një kambanë alarmi për gjendjen konfliktuoze në Maqedoni...

Deklarata e një dite më parë e ambasadorit të ShBA-ve në Shkup, Pol Volers, është një kambanë alarmi për gjendjen konfliktuoze në Maqedoni, e cila sipas vetë ambasadorit, ka përmasat e rrezikshmërisë për ekzistimin e shtetit.
 
Analistët politik thonë se kritika e drejtpërdrejtë ndaj liderëve të partive për kursin politik nga një diplomat i një shteti partner siç janë ShBA-të, duhet të merret seriozisht nga krerët e partive politike dhe aktorët e tjerë në politikë.
 
“Vlerësoj se sakrifikimi i BE-së dhe NATO-s është gjithashtu i papranueshëm edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe vetë deklarata e dhënë pa fare diplomaci, pa ndonjë fjalor i cili do të ishte në kuptimin diplomatik më i matur, duhet të jetë një alarm, një sinjal për liderët politik, që të reflektojnë dhe të shohin drejt të ardhmes dhe t’ia lënë të kaluarën historisë”- deklaroi analisti, Sefer Tahiri.
 
“Është koha e fundit që politikanët tanë t’i marrin seriozisht këto mesazhe, veçanërisht kur vijnë prej ambasadorit të një shteti partner për Maqedoninë, një shtet i cili e ka treguar rolin e vet pozitiv prej pavarësimit të Maqedonisë. Është mesazh që politikanët duhet në vend të partive të veta të fillojnë t’u kthehen institucioneve, t’i ndërtojnë ato dhe të fillojnë t’i lënë të pavarësohen”- tha analisti, Albert Musliu.
 
Një ditë më parë, ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Pol Volers, tha se në Maqedoni sheh liderë që politikën e shohin si lojë afatshkurte për të përfituar për vete dhe për partinë e vet, e cila nxit konflikte në vend që të punojnë për t’i zgjidhur konfliktet.
 
Sipas tij, mënyra e politikbërjes në Maqedoni mund të merret si recetë për të shkatërruar shtetin.
 
SHPËTIM NUREDINI