Maqedoni

Lista zgjedhore, LSDM bojkoton diskutimet në KSHZ

12.09.2014 16:46

Grupi punues për pastrimin e listës zgjedhore pranë KSHZ-së, pranë anëtarëve të saj dhe përfaqësuesve të partive parlamentare në vend...

Grupi punues për pastrimin e listës zgjedhore pranë KSHZ-së, pranë anëtarëve të saj dhe përfaqësuesve të partive parlamentare në vend, ka propozuar tre metodologjitë e përgatitura për pastrimin e listës zgjedhore. Për metodologjinë, e cila do të duhet të zbatohet, duhet të vendoset deri në vitin e ri.
 
“Janë propozuar tre metoda, tre metodologji, analiza mbi bazën e të dhënave, kontroll administrativ. Metoda e dytë që propozohet është kontrolli nga lista deri tek votuesi dhe metoda e tretë është nga votuesit deri te lista, do të thotë me kontakt direkt përmes përzgjedhjes së rastësishme të votuesve në rrugë”- deklaroi kryetari i grupit punues pranë KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi.
 
Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, kërkoi që grupi i punës të bëjë analizë se cila nga këto tre metodologji përdoret në shtetet e Ballkanit Evropian.
 
“Do të ishte mirë të kemi një analizë se cila nga këto tre metodologji është e pranishme dhe në cilin vend anëtare të BE-së, që të mund të bëjmë një analizë komparative dhe të mund të sjellim një vendim të drejtë dhe adekuat, duke përjashtuar këtu ndonjë tentim për eksperiment me kodin zgjedhor”- theksoi Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.
 
Nga BDI, Abdylaqim Ademi deklaroi se fakti që mbështetja e ndryshimeve të fundit në kodin zgjedhor është dëshmi që integristët e tij gjithmonë janë angazhuar që lista zgjedhore të paraqesë dokument që procesin zgjedhor do ta bëjë më të besueshëm për qytetarët.
 
“Duhet lista zgjedhore të paraqesë një dokument dhe bazë për një besueshmëri më të madhe në mbarë procesin zgjedhor, për këtë arsye edhe do t’i mbështesim edhe këto aktivitete që propozohen, me qëllim që Maqedonia përfundimisht të ketë listë zgjedhore në të cilën të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje do të kenë besim të plotë”, u shpreh Abdylaqim Ademi.
 
Edhe pse zgjedhja e metodologjisë për pastrimin e listës zgjedhore arrihet me konsensus nga të gjitha partitë parlamentare në vend, në mbledhjen e sotme të grupit punues të KSHZ-së për listën zgjedhore, nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i LSDM-së opozitare.
 
Nga partia e Zaevit vlerësojnë se është e pakuptimtë të debatohet vetëm për njërën nga 5 pikat të cilat LSDM-ja kërkon të jenë në tavolinën e bisedimeve me pushtetin, për sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. 
 
MEFAIL ISMAILI