Maqedoni

Konstituohet këshilli për ndërmjetësim

12.09.2014 16:54

Në Ministrinë e Drejtësisë, u konstituua Këshilli për Ndërmjetësim si obligim ligjor i cili del nga Ligji për Ndërmjetësim...

"Duke e pasur parasysh natyrën specifike të një lloji të caktuar të kontesteve ku ndërmjetësimi planifikohet si i obligueshëm, traditën në Republikën e Maqedonisë dhe nevojat kulturologjike të popullsisë në hapësirën e Republikës së Maqedonisë, u imponua nevoja e krijimit të një profili krejtësisht të ri të ndërmjetësve, të cilët do të vepronin në situata të këtilla kontestuese, por dhe sigurimin e një mbikëqyrjeje apo kontrolli përkatës mbi ndërmjetësit të cilët do të munden në të ardhmen t'u përgjigjen sfidave të reja të cilat janë para tyre dhe me sukses t'i përfundojnë detyrat e tyre"- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Ai shtoi se këtu vjen roli kyç i Këshillit, i cili është dëshmi se shteti është i vetëdijshëm se vetëm me një bashkëpunim profesional multi-sektorial dhe përkushtim të plotë drejt zgjidhjes së problemit është i mundur krijimi i një profili të ri të ndërmjetësve, të cilët do të mund t'i përgjigjen në tërësi përgjegjësive dhe sfidave të reja. 
 
Sipas Ligjit, Këshilli do të organizojë dhe zbatojë provim për ndërmjetës për herë të parë dhe në mënyrë elektronike, do të jepen licenca, do të përcaktojë kushte dhe procedurë për lëshimin e akreditimeve të programeve për trajnimin e ndërmjetësve etj. 
 
“Me Ligjin për Ndërmjetësim, nga viti 2013 u krijua një sistem i ri i ndërmjetësimit në Republikën e Maqedonisë, i cili do të bazohet në sigurimin, ndjekjen dhe vlerësimin e cilësisë së punëve të ndërmjetësimit. Vendimi i ri ligjor e lë mundësinë që ndërmjetësimi të provohet para fillimit të procedurës gjyqësore, por edhe në kuadër të procedurës gjyqësore. Është rregulluar edhe mundësia për ndërmjetësim ndërkombëtar”- deklaroi ministri Jashari.  
 
Në mënyrë ligjore, mbështetja e ndërmjetësimit është rregulluar nga ana e Qeverisë së RM-së, e cila do të sjellë program katërvjeçar për zhvillimin e ndërmjetësimit, por edhe do të bëjë subvencionimin e katër orëve të para të ndërmjetësimit. 
 
“Ndryshime më të mëdha janë bërë në sferën e licencimit të ndërmjetësve. Është krijuar edhe sistem për dhënien e provimit për ndërmjetës, licencimin e ndërmjetësve, me ç'rast, licenca u jepet vetëm personave me provim të dhënë për ndërmjetës, të cilët i plotësojnë kushtet e tjera ligjore, ndërsa është vendosur edhe test psikologjik dhe test i integritetit, me qëllim që të parandalohet hyrja e personave të cilët nuk posedojnë karakteristika kryesore për ndërmjetës dhe nuk mund ta fitojnë besimin e palëve, që është kyçe për ndërmjetësimin në tërësi”, tha Jashari.  
 
Ministria e Drejtësisë, përveç se ka anëtarë në Këshill, në përputhje me Ligjin ka rolin e Sekretariatit të Këshillit dhe se është në disponim për bashkëpunim për të gjitha nevojat në drejtim të realizimit të obligimeve ligjore.