Maqedoni
Antikorrupsioni me iniciativë të re heton kush i uzurpon pa leje plazhet në Ohër dhe Strugë
27.08.2019 15:42
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të kontrollojë nëse ka uzurpime pa leje të plazheve në Strugë dhe Ohër nga persona fizikë apo juridikë....

Komisioni Antikorrupsion ka kërkuar nga komuna e Strugës dhe ajo e Ohrit të dorëzojë dokumentacionet e plota për dhënien me qira të plazheve. Ky veprim i Antikorrupsionit vjen pas dyshimeve se kompani dhe individë të ndryshëm kanë uzurpuar plazhe, pa paguar asnjë tarifë komunale. Lënda është hapur me iniciativë të vetë Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, pas shtimit të reagimeve se në këto dy qytete po uzurpohen plazhet jashtë çdo normative ligjore. Të dy komunat do të duhet që Komisionit t’i dorëzojnë dokumentet aktive, por edhe marrëveshjet për mbarimin e koncesionit.
Antikorrupsioni më pas do të duhet të kontrollojë nëse inspektorët e të dyja komunave kanë reaguar në kohë ndaj këtij uzurpimi ku qytetarët detyrohen madje të paguajnë edhe për parking dhe shezlonat e çadrat që përdorin. Komuna e Ohrit për sivjet nuk ka dhënë asnjë plazh me koncesion për “A1on”, nga kjo komunë u arsyetuan se për shkak të moratoriumit, procedura për dhënien me koncesion të plazheve është ndërprerë. Por, mosdhënia në koncesion e plazheve nuk ka penguar persona të caktuar që të uzurpojnë hapësirën e lirë përskaj liqenit. Edhe në Strugë situata nuk është më e mirë. Se kush ka faj për këtë uzurpim pa kriter të hapësirave të përbashkëta në bregun e liqenit të Ohrit, pritet të shihet pas raportit të Antikorrupsionit.
GYLTENE SINANI
