Shuhet zjarri në rajonin e Velesit, arrestohen 4 persona, dyshohen se ndezën zjarrin
Janë arrestuar katër persona si shkaktarë të zjarrit masiv që përfshiu rajonin e Velesit....

Janë arrestuar katër persona si shkaktarë të zjarrit masiv që përfshiu rajonin e Velesit. Zjarri shumë shpejt u përhap në një pjesë të madhe rreth liqenit “Mlladost”, përfshiu malin në afërsi dhe rrezikonte të përhapet drejt Shkupit.
“Janë arrestuar katër persona të cilët janë të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Sipas deklaratave të tyre si punëtorë të ndërtimtarisë ishin duke punuar në afërsi të fshatit Bashino dhe gjatë punës me makinë është ndezur zjarri, ata janë munduar ta shuajnë por pasi që era ishte e fuqishme nuk kanë arritur ta shuajnë, menjëherë kanë lajmëruar ekipet zjarrfikëse”,- tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
Nga flakët u dogjën 400 hektarë tokë nga e cila 200 hektarë mal i pishave. Zjarri arriti të lokalizohet pas rreth 4 orësh luftë me flakët.
“Gjatë ditës së djeshme disa pjesë ishin të pakapshme për shkak se ishte edhe natë dhe diku rreth orës 1 pas mesnate e kishim të vështirë të ngjitemi në disa pjesë ku mendonim se ka zjarre të vogla, por jemi duke pritur informacione për gjendjen momentale atje”,- tha komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Vlladimir Simonovski.
Krahas ekipeve zjarrfikëse në shuarjen e zjarrit u përfshinë ARM, dhe “Pyjet e Maqedonisë”, ndërsa nga ajri u ndihmua me dy avionë dhe një helikopter. Nga “Hekurudhat e Maqedonisë” informojnë se është i ndërprerë qarkullimi hekurudhor Veles-Koçan, pasi që është djegur edhe një pjesë e hekurudhës. Krahas dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka viktima në njerëz. (Leunora Kaliqi, TVM2)
