Maqedoni
Zjarri në Veles, VMRO kërkon dorëheqjen e ministrave, LSDM akuzon opozitën për lajme të rreme
27.08.2019 16:20
Zjarri në Veles u bë “mollë sherri” në përplasjet e sotme mes pushtetit dhe opozitës...

VMRO-DPMNE akuzon pushtetin se janë vonuar në intervenimin e tyre. Madje, nga partia opozitare maqedonase kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrave dhe drejtorëve përgjegjës.
“Zjarri filloi në orën 11, kurse avionët dhe helikopterët erdhën në orën 16. Kjo është vonesë katastrofale prej pesë orëve. Falënderim i madh për zjarrfikësit, ushtarët, vullnetarët që shuan zjarrin, por ata që dështuan janë institucionet qeveritare, ministrat dhe drejtorët. Është koha për dorëheqje të drejtorëve dhe ministrave”,- tha Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Këtë deklaratë e përgënjeshtruan nga LSDM. Sipas tyre, Gjorçev, duke shkuar pas hapave të Mickovskit dhe Milloshovskit, po bëhet simbol i lajmeve të rreme. LSDM gjithashtu dënoi atë se VMRO po shfrytëzon tragjeditë për të fituar pikë politike.
“Është gënjeshtër se është pritur pesë orë për të intervenuar, ashtu siç deklaron në mënyrë të rrejshme Gjorçevi. Ashtu siç dihet publikisht, të gjitha kapacitetet në dispozicion janë aktivizuar që nga muajt e parë pas shpërthimit të zjarrit. Në mënyrë shtesë janë kyçur njësitë zjarrfikëse nga Shkupi dhe nga qytetet përreth Velesit, si dhe pjesëtarët e ushtrisë, me qëllim të lokalizimit me kohë të zjarrit dhe parandalimit të dëmeve më të mëdha”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE, duke mos pasur ide dhe program, është përqendruar në përhapjen e gënjeshtrave dhe keqpërdorimit të tragjedive.
ERSAN PAJAZITI
