Vonesa e objektit për U. Sh. “Nënë Tereza”, Ademi: Pengesa administrative, nuk ka plan urbanistik
I pyetur se përse nuk po ndërmerret asgjë për ndërtimin e premtuar të kompleksit universitar për Universitetin “Nënë Tereza”....

I pyetur se përse nuk po ndërmerret asgjë për ndërtimin e premtuar të kompleksit universitar për Universitetin “Nënë Tereza”, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, sqaron se problemi qëndron tek procedurat administrative e jo mungesa e dëshirës apo mjetet që ndan qeveria për këtë qëllim. Për momentin zgjidhje është gjetur me komunën e Çairit e cila ka vënë në dispozicion të universitetit hapësirat në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”.
“Qeveria e RMV-së, shtatë apo tetë objekte i ka ndarë në kazermën “Ilinden” për nevojat e universitetit “Nënë Tereza”, mjete ka ndarë mbi 200 milion denarë që nuk janë pak për këtë vit 2019, që objektet për “Nënë Terezën” te kampusi universitar të adaptohet dhe i njëjti të vihet në funksion të studentëve. Pse nuk ka ndodhur kjo deri më tani, është si rezultat i procedurave administrative, për arsye se duhet të punohet plani detal urbanistik, duhet të ndërrohet destinimi i parcelës ku ndodhen objektet që janë të destinuara për universitetin “Nënë Tereza”, që të mundemi pastaj të fillojmë menjëherë me furnizimet publike që kanë të bëjnë edhe me përgatitjen e dokumentacionit teknik por edhe me realizimin”,- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
MASh në këtë periudhë ka filluar me zbatimin programeve të reja mësimore dhe 1040 programeve mësimore me dizajn modular në arsimin e mesëm katërvjeçar prej vitit shkollor 2019-2020. Për këtë qëllim u organizua edhe konferenca rreth reformave në arsimin teknik në shkollat profesionale, me mbështetje të Bankës Botërore, përmes projektit për zhvillim të aftësive dhe përkrahjes së inovacioneve. Në këtë konferencë të pranishëm ishin të gjithë drejtorët e shkollave të mesme profesionale në vend si dhe mësimdhënës që mbajnë mësim në arsim profesional. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
