Greva e Sindikatës për Arsim, Ademi: SAShK të reflektojë, MASh i hapur për dialog
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, mbetet i hapur për diskutime konstruktive me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, mbetet i hapur për diskutime konstruktive me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e nuk e sheh të nevojshme hyrjen në grevë të SAShK-ut për një problem që sipas tij ka zgjidhje. Ademi sqaron se rritja e rrogave do të vazhdojë edhe pas shtatorit, megjithëse pranon se ende nuk dihet se kur mund të jetë rritja e radhës.
“Nëse e bëjmë një krahasimin të pagës për muajin shtator në 2019 me pagën e muajit gusht të vitit 2018, është mbi 10% apo më saktë 10,8% më e lartë paga mujore për mësimdhënësit. Do të ketë edhe rritje të tjera, por nuk mund të them tani se kur do të ndodhë ajo, sepse duhet të presim projektimin e ardhshëm të buxhetit. Qëndrojmë të hapur për dialog. Sinqerisht, shpresoj dhe dëshiroj që SAShK-u, si miqtë tanë me të cilët kemi bashkëpunuar deri tani, të tërhiqen nga paralajmërimi për grevë më 2 shtator”,- tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
SAShK këmbëngul: Nuk ndërpresim grevën pa rritje prej 25%
Por, nga SAShK janë të prerë. Nuk do të ndalen së kërkuari rritje të rrogës prej 25%.
“Problemi konkret që e kemi mund të tejkalohet vetëm nëse MASh ofron rritje të përqindjes së pagës për vitin 2019, të cilën këshilli i SAShK-ut mundet ta pranojë. Kuptohet, kjo do të ndërlidhet edhe me rritjen e pagave në veprimtarinë e arsimit për vitin 2020, e cila duhet të projektohet në buxhetin për vitin 2020”,- u shpreh kryetari i SAShK-ut, Joakim Nedellkov.
Përçahen mësimdhënësit, shkollat e Prilepit fillojnë mësimin më 2 shtator
Me vendimin e SAShK-ut nuk pajtohen mbi 170 të punësuar në arsim në rajonin e Prilepit. Ata do të fillojnë vitin e ri shkollor më 2 shtator. Konsiderojnë se vendimi i kryesisë së sindikatës është i motivuar politikisht, thonë se nuk janë informuar e konsultuar në kohë për këtë vendim, madje akuzojnë kryesinë e SAShK-ut në Prilep se po ua ndalon të drejtën sindikaliste të garantuar me Kushtetutë.
“Këshilli rajonal i SASHK-ut në Prilep është i vetmi këshill në shtet ndaj të cilit u është bërë sipas nesh vendim joligjor. Me këtë vendim, Dumballoski neve si të punësuar në arsim na e ndalon të drejtën e anëtarësimit në sindikatë, të cilën e kemi të garantuar si me Kushtetutë ashtu edhe me rregullativa ligjore”,- u shpreh arsimtari, Zoran Avramovski.
Por, kryetari Nedellkov hedh poshtë akuzat se vendimi është politik. Ai thotë se edhe më herët të punësuarve në arsim në Prilep u është ofruar anëtarësimi në Sindikatë, por nuk e ka të qartë përse kanë refuzuar. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
