Maqedoni

Kuvendi miratoi nevojën për Ligj për PTHP-në, Deskovska: Nëse nuk kalon ligji, do gjejmë mënyra tjera

27.08.2019 17:42

Propozim Ligji për Prokurori Publike hyri në procedurë parlamentare dhe do të miratohet me procedurë të shkurtuar...

Propozim Ligji për Prokurori Publike hyri në procedurë parlamentare dhe do të miratohet me procedurë të shkurtuar.

Me 57 vota pro, Kuvendi pranoi që pr/Ligji të trajtohet si ligj me prioritet për integrimin europian dhe me procedurë të shkurtuar. Në të njëjtën procedurë do të miratohet edhe propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, ftoi deputetët që t’i përkrahin propozim ligjet për të provuar përcaktimin për luftë me krimin dhe korrupsionin në nivel të lartë dhe për mos të penguar procesin eurointegrues. Tha se dallimi kryesor mes propozuesit dhe VMRO-DPMNE-së është statusi i lëndëve që ka hapur Specialja.

“Nëse nuk miratohet ky ligj do të shfrytëzojmë mundësitë tjera, si ndryshimi i Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili jep mundësi për ndryshime të caktuara dhe ky është ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë, për të tejkaluar situata të caktuara bllokuese. Prandaj ftoj të gjithë që të rishqyrtojnë qëndrimet dhe të mbajnë llogari për interesat e përgjithëshme dhe jo për interesat personale të të akuzuarve në procedurat e PPS-së”,- tha  ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska.

Miloshovski: Vota e opozitës do varet nga amendamentet

VMRO-DPMNE, e cila nuk votoi për nevojën e miratimit të këtij ligji, doli me vërejtje. Një ligj i tillë nuk guxon të miratohet me procedurë të shpejtë dhe nuk ka pse të mbajë shenjën e BE-së, tha Antonio Milloshovski. Mënyra se si do të votojnë për pr/ligjet do të varet nga vullneti i shumicës për të pranuar amendamentet që do të parashtrojë.

“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së gjatë debatit që do të fillojë në Komisionin për çështje evropiane do të propozojë amendamente qenësore për përmirësimin e cilësisë së pr/ligjit për Prokurori Publike dhe këto pr/amendamente do të jenë test për shumicën nëse vërtet duan ligj më cilësor të standardizuar i cili mund të ketë mbështetje të gjerë politike në kuadër të Kuvendit”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Zendeli: Duam garanci që nuk do amnistohet askush

Lëvizja Besa kërkon garanci se projekt/ligji do të mundësojë mekanizma ligjorë që të gjitha lëndët, provat dhe materialet që disponon PPS-ja do të procedohen.

“Presim që gjatë fazës së amendamentimit të shohim se pr/ligji me të vërtetë do japë garanci se krimi dhe korrupsioni në Maqedoni nuk do të amnistohen. Atëherë do të përkrahim një pr/ligj të tillë. Mirëpo çdo formë apo mënyrë e amnistimit dhe faljes së kriminelëve nga qeverisja e kaluar dhe kjo qeverisje nuk do ta përkrahim”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.

Grubi: Do të bëjmë përpjekje që ta kalojmë ligjin

BDI, e cila ka deklaruar qëndrimin se do ta përkrahë pr/ligjin, do të ndërhyjë me tre amendamente. Deputeti, Artani Grubi, i cili kryeson me Komisionin për Çështje Evropiane, që do të jetë komision amë për ligjin në fjalë, tha se do të përpiqet të arrijë konsensus politik që në komision.

“Do përpiqem që të punojë edhe me opozitën edhe me partnerët e koalicionit që të arrijmë një tekst të harmonizuar i cili do të përkrahet nga të gjitha partitë politike në vend. Nëse ajo nuk arrihet do të bëjmë përpjekje që ta kalojmë ligjin në Komision, por edhe në seancë plenare me votat e nevojshme të dy të tretave”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.

Seanca e Komisionin për Çështje Evropiane do të caktohet pas një koordinimi paraprak mes palëve, sipas të gjitha gjasave në fillim të javës tjetër. (Shpëtim Nuredini, TVM2)