Rasti "Zhvatja"- Ruskoska: Zaevi nuk përmendet në dëshminë e Kamçevit
Ende po zgjat seanca e Këshillit të Prokurorëve...

Ende po zgjat seanca e Këshillit të Prokurorëve ku diskutohet për inicimin e procedurës për shkarkimin e kryeprokurores speciale, Katica Janeva, të dyshuar në rastin “Zhvatja”.
Për inicimin e procedurës është i nevojshëm vota e shumicës, pra “pro” duhet të votojnë 5 nga 9 anëtarët e Këshillit të Prokurorëve.
Prokurorja në PNKOK, Vilma Ruskoska, për 3 orë rresht prezantoi para Këshillit të Prokurorëve Publikë, dëshmitë për përfshirjen e dyshuar të prokurores speciale, Katica Janeva, në rastin “Zhvatja”. Sqaroi se as kryeministri, Zoran Zaev, e as ndonjë politikan tjetër nuk është përmendur në dëshminë e Orce Kamçevit të dhënë në Prokurori.
Sipas Ruskoskës, Zaev është përmendur një herë, edhe atë vetëm kur biznesmeni Kamçev ka theksuar se rastin e ka paraqitur tek kryeministri. Me këtë Ruskoska demantoi disa media se në dëshminë e Kamçevit është përmendur involvim i kryeministrit dhe funksionarëve të lartë të pushtetit. Ruskoska tha se nuk kanë njohuri për atë se si arriti të qarkullojë në opinion një pjesë e procesverbalit nga dëshmia e Kamçevit.
“Absolutisht bëhet fjalë për dezinformata nga mediume të caktuara. Zaev është përmendur vetëm në pjesën ku tha Jordan Kamçev se e ka paraqitur te ai. As një tjetër politikan nuk është përmendur”,- theksoi prokurori në PNKOK, Vilma Ruskoska.
Ruskoska prezantoi dëshmitë para KPP-së
Sa i përket hetimit financiar për rastin “Zhvatja”, Ruskoska njoftoi se kanë njohuri se ku gjendet një pjesë e shumës prej 1.5 milion euro që në videot e publikuara nga gazeta italiane shiheshin në çantën firmato që morën me vete të dyshuarit nga shtëpia e Kamçevit. Ruskoska tha se përveç dëshmive të shpalosura është përgjigjur në çdo pyetje plotësuese të prokurorëve.
“Dëshmitë i prezantova që deri më tani i kemi mbledhur, dëshmi të dëshmitarëve, procesverbal për pranimin e padisë penale nga njëri dëshmitar dhe bisedat të cilat i ka incizuar dhe mi ka dhënë”,- theksoi prokurorja në PNKOK, Vilma Ruskoska.
Ruskoska sqaroi se nuk ka ndërmendur të thërrasë tani shpejt për të dëshmuar të dyshuarin, Bojan Jovanovski. Njoftoi edhe se sërish në cilësinë e dëshmitarit është marrë në pyetje ish drejtori i “T-Mobile”, Zharko Lukrovski. Emri i Lukrovskit përmendet në njërën nga audio bisedat e publikuara nga gazeta italiane. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
