Botë

Kosova bëhet gati për zgjedhje, KQZ ende pa buxhet, Qeveria pret Kushtetuesen

27.08.2019 19:22

Kosova bëhet gati për zgjedhje të parakohshme, por institucionet përgjegjëse për zbatimin e zgjedhjeve duket se ende nuk janë gati...

Mungesa e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për kompetencat e qeverisë pas dorëheqjes së Haradinajt ka sjellë pengesën e parë, ndarjen  e buxhetit për KQZ-në.

Pesë milionë euro i duhen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme në Kosovë.

Pa alokimin e këtyre mjeteve, KQZ-ja nuk mund të nisë asnjë procedurë. Edhe nga Ministria e Financave nuk kanë një ide të qartë se si duhet të veprojnë.

Nga KQZ thonë se nuk mund të fillojnë asnjë procedurë e furnizimi pa pasur para. Nga KQZ thonë se nuk duhet penguar procesi zgjedhor dhe se të gjitha qeveritë në detyrë kanë ndarë mjete për organizim të zgjedhjeve.

Nga Ministria e Financave ende presin vendimin e kushtetueses. Thonë se do të konsultohen me ekspertët për të parë se cila është rruga ligjore për të vepruar në rast se vendimi nuk vjen në kohë.

Fushata zgjedhore  në Kosovë do të zgjasë vetëm 10 ditë, meqë janë zgjedhje të parakohshme. Ajo do të fillojë më 25 shtator e do të përfundojë më 4 tetor.