Botë
Rikthehet dhuna në super ligen Shqiptare
12.09.2014 17:32
Stadiumi “Loro Borici” në Shkodër, është kthyer në arenë përleshjesh mes tifozëve të Tiranës dhe të Vllaznisë...

Stadiumi “Loro Borici” në Shkodër, është kthyer në arenë përleshjesh mes tifozëve të Tiranës dhe të Vllaznisë, teksa luhej ndeshja mes tyre.
9 persona janë plagosur, ndër të cilët presidenti i Skuadrës së Tiranës, Refik Halili, 5 policë dhe 3 fëmijë. Në total janë arrestuar 13 tifozë, si shkaktarë të dhunës së paprecedentë në stadiumet shqiptare.
Përleshja ka nisur në pjesën e dytë të ndeshjes së djeshme, ku Tirana ka pretenduar për një penallti, por arbitri nuk e ka cilësuar si të tillë, duke hasur me revoltimin e presidentit të Tiranës.
Ai ka tentuar të qetësojë tifozerinë e ekipit të tij, por aksidentalisht ka marrë goditje të fortë në kokë me mjetë të forta, duke i shkaktuar plagë. Tifozët e klubit të Tiranës janë acaruar duke kundërshtuar me dhunë, në momentin kur tifozët e të dy ekipeve zbresin në fushë dhe me mjete të forta përleshen me njëri-tjetrin.
Edhe pasi ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1, përleshja mes dy tifozërive vazhdoi edhe jashtë ambienteve të stadiumit, ku janë thyer automjete të parkuara, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera.
Reagimet kanë qenë të shumta nga të gjitha institucionet futbollistike, por edhe nga kryeministri, Edi Rama. Ai tha nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Twiter” se përleshjet e dhunshme mes tifozëve në stadiumin “Loro Borici” nuk mund të mbajnë më “peng” fushën e gjelbër.
Kreu i Qeverisë, Rama, foli për një bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit për të shmangur përsëritjen e këtyre ngjarjeve, që në syrin e tij janë “histeri të turpshme të dhunës”.
Edhe ministrja e Sporteve, Lindita Nikolla, e cilësoi ngjarjen të turpshme dhe kërkoi marrjen e masave.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës e dënoi ngjarjen dhe kërkoi zbardhjen e plotë të saj.
LULJETA NDOKA
