Maqedoni
Festohet Pashka e Vogël, mesazhe për ruajtjen e vlerave të familjes
28.08.2019 14:03
Besimtarët ortodoksë festojnë sot “Ditën e Zonjës së Madhe”, kremta më e madhe ortodokse...

Besimtarët ortodoksë festojnë sot “Ditën e Zonjës së Madhe”, kremta më e madhe ortodokse, që celebron bashkimin e Shën Mërisë me Jezu Krishtin. Njohur ndryshe si Pashka e Vogël, kremtohet me meshën që konsiderohet ndër të më të shenjtat e kalendarit ortodoks. Kuptimi i këtij solemniteti të ngjiturit të Zonjës në qiell, kremton fundin e jetës së saj tokësore.
Dogma e të ngjiturit të Zonjës në qiell, festohet si e tillë, e shpallur në vitin 1950 nga Papa Piu XII, e fundmja në rendin kronologjik shpallur nga Kisha. Besimtarët ortodoksë, duke e konsideruar Shën Mërinë si nënën e Krishtit dhe nënën e të gjithë besimtarëve, drejtojnë sot lutjet drejt saj me shpresën që çdo lutje e tyre të gjejë zgjidhje, falë afërsisë së saj me Krishtin. Në ceremoninë e mbajtur në Manastirin, “Ngritja e Zonjës në qiell” - në Matkë, kryetari i Kishës Ortodokse dha mesazhin e ruajtjes së vlerave shoqërore dhe të familjes.
“Ajo na duhet gjithmonë, secilit dhe të gjithë ne së bashku, veçanërisht kemi nevojë për Zonjën e madhe, në këto kohët e vështira, në periudha përplot me kriza të jetesës, të krizave, të vlerave familjare dhe martesës, krizave shoqërore, ajo na duhet edhe sot, në këto kohë përplot me tundime dhe sfida”,- u shpreh kryetari i Kishës Ortodokse maqedonase, Zotëri Zotëri Stefani.
I paraprirë nga agjërimi 14 ditor, kjo festë në vendin tonë kremtohet me 28 gusht bazuar në kalendarin e vjetër Julian, kishtar, i cili përdoret nga Kisha Ortodokse maqedonase, serbe, ruse, ukrainase dhe kishat lindore, ndërkaq nga besimtarët ortodoksë shqiptarë kjo festë u shënua më 15 gusht sipas kalendarit të ri Gregorian që respektohet në vendet e Evropës.
ARLINDA BAFTIU
