Botë
Morën rërë nga plazhi i Sardenjës, çifti francez rrezikon 6 vite burg
28.08.2019 15:14
Një çift francez që kaloi pushimet në plazhin e Sardenjës, vendosi që si suvenir të marrë me vete rërën e plazhit....

Megjithatë ky veprim në dukje i thjeshtë, u rrezikon atyre një dënim prej 6 vitesh burg, pasi rëra e bardhë e këtij ishulli italian është e mbrojtur me ligj dhe kushdo që guxon ta marrë, rrezikon gjoba të majme dhe burg.
Çifti mori me vete jo një, por 14 shishe plastike të mbushura me rërën e bardhë, 40 kilogramë rërë në total. Ata u arrestuan nga policia gjatë një kontrolli rutinor ku po prisnin të hipnin në tragetin drejt Francës. Çifti u arsyetua se nuk e kishte ditur se rëra mbrohej me ligj, por policia thotë se në qytetin verior të Porto Torres ka tabela në disa gjuhë që paralajmërojnë se marrja e rërës është krim. Çifti pret tani vendimin e gjykatës. Ata rrezikojnë gjashtë vite burg dhe një gjobë deri në 3 mijë euro.
Nuk është hera e parë që persona të caktuar dënohen për marrjen e rërës dhe të gurëve nga plazhet e Sardenjës. Ekziston madje një treg i paligjshëm për këtë në internet. Vjedhësit e rërës zakonisht kapen në aeroporte, në kërkime për çanta dhe nga skanerët. Rëra dhe gurët e sekuestrua kthehen në plazh në fund të sezonit veror.
