Botë
Bangladeshi heq fjalën “e virgjër” nga certifikatat e martesave
28.08.2019 15:35
Femrat në Bangladesh nuk janë më të detyruara të deklarojnë nëse janë të virgjëra ose jo në certifikatat e martesës....

Femrat në Bangladesh nuk janë më të detyruara të deklarojnë nëse janë të virgjëra ose jo në certifikatat e martesës, një masë kjo e detyrueshme që vlente që nga viti 1961. Sipas ligjeve të martesës fetare në vendin aziatik, një nuse duhet të zgjedhë njërën nga tre opsionet në certifikatë – e virgjër, e ve ose e divorcuar. Gjykatësit thanë se “kumari”, pra termi “e virgjër”, duhet të zëvendësohet me fjalën “obibahita”, e cila do të thotë “e pamartuar”.
Gjykata e lartë e vendit mori vendimin pas kundërshtimit të gjatë të aktivistëve për të drejtat e njeriut, që me vite këmbëngulin se termi i përdorur është “poshtërues dhe diskriminues”.
“Ne kemi paraqitur një peticion me shkrim sepse nëse dikush pyetet nëse është e virgjër apo jo, është kundër të drejtës së intimitetit të personit”,- tha Ainun Nahar Siddiqua, një nga dy avokatet e përfshirë në këtë çështje.
Ky ndryshim është cilësuar si një vendim mjaft i rëndësishëm për një komb si Bangladeshi, pasi 90% e popullsisë është myslimane dhe kritikët theksonin se ky është një term poshtërues dhe diskriminues, veçanërisht kur dhëndri nuk e kërkonte një certifikatë të tillë.
Gjykata pritet të botojë vendimin në Gazetën Zyrtare dhe ndryshimet në certifikatë duhet të hyjnë në fuqi deri atëherë.
