RMV, shënohet Dita e Minatorëve - 28 gushti

28.08.2019 16:21

28 gushti, Dita e Minatorëve, u shënua me më shumë aktivitete në Maqedoni të Veriut....

28 gushti, Dita e Minatorëve, u shënua me më shumë aktivitete në Maqedoni të Veriut, përkatësisht në xeheroren “Buçim” dhe minierën “Sasa”.

Me këtë rast u theksua se janë plotësuar disa kërkesa të kamotshme të minatorëve, si pensionimi i mëhershëm, kurse kjo po gjeneron edhe rritjen e prodhimit në këtë fushë.

“E ulëm kufirin e pensionimit për minatorët. Nëse më parë minatorët pensionoheshin me 58 vjet të mbushura, tani pensionohen në rreth 50 vite. Si rezultat i kësaj mase deri më tani në pension kanë dalë 51 minatorë. Kjo gjithsesi do të thotë se hapen vende të reja të punës për të rinjtë dhe kjo është e drejtë, sepse është një prej profesioneve më të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e njerëzve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

“Nëse e krahasojmë me qershorin e vitit 2018 do ta shikojmë se ka mbi 5% rritje në këtë fushë, kurse në mënyrë të përgjithshme kjo fushë merr pjesë me mbi 8% të prodhimit industrial të Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të përkushtuar në zgjidhje të reja ligjore, ku do t’i harmonizojmë ligjet tona, pra aktet nënligjore, rregulloret, tarifat me vendet evropiane, me çka fitim më të madh do të kenë komunat e Maqedonisë së Veriut”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Autoritetet vlerësuan edhe punën e kompanive të sektorit të xehetarisë. Ndërsa kompanitë u zotuan për rritje të kapaciteteve prodhuese.                                                                                                        

“Mendoj se është shumë me rëndësi që kompanitë si “SASA” të punojmë me sukses dhe ne do të vazhdojmë me atë dhe do të vazhdojmë me kontributin tonë edhe për qeverisjen lokale, shtetit dhe të gjitha institucioneve të të gjitha niveleve”,- tha Oleg Tellnoj nga “SASA”.

“Në strategjinë tonë kemi planifikuar të prodhojmë 26 milion ton, ne kemi nxjerrë 66 milion ton xehe. Kombinati veç më është i certifikuar dhe ka standarde ISO për mjedisin jetësor dhe për shëndetin e qytetarëve”,- tha drejtori gjeneral i “Buçim Vasill Borucki”.                                                                                        

Në Maqedoninë e Veriut janë aktive 120 miniera, ndërsa në këtë sektor së bashku me degët e ndërlidhura ekonomike ka mbi 10.000 të punësuar. (Ersan Pajaziti, TVM2)