Zjarri në Veles, pesë persona nën hetime
Pesë banorë të Velesit janë të dyshuar për zjarrvënie në zonën afër liqenit Rinia...

Pesë banorë të Velesit janë të dyshuar për zjarrvënie në zonën afër liqenit Rinia. Prokuroria Themelore Publike lëshoi një urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër një personi përgjegjës të një ndërmarrje ndërtimi dhe kundër katër punëtorëve të angazhuar në kryerjen e punëve ndërtimore.
Pesë personat janë akuzuar për vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Për disa prej tyre kërkohet edhe paraburgim.
“Duke marrë parasysh që bazat ligjore janë përmbushur, prokurori publik kompetent i paraqiti gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Veles parashtroi propozim për paraburgim për personin përgjegjës dhe një punonjës. Për dy të tjerët janë propozuar masa për paralajmërim”,- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike.
Zjarri në Veles shpërtheu pranë autostradës Shkup - Veles, pikërisht në hyrje të zonës së piknikëve të liqenit Rinia. Si pasojë e zjarrit u dogjën 500 hektarë tokë. Zjarri ka shkatërruar plotësisht një pyll me pisha.
Autoritetet thonë se do të duhet një kohë e gjatë për të rindërtuar fondin pyjor. Krahas dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
