Maqedoni

Rasti "Zhvatja", Pendarovski: Nevojitet hetim i shpejtë, pa ndikim. Nuk ka ndikim politik në rastin "Zhvatja". Zaev: Jam i gatshëm të dëshmoj

28.08.2019 17:20

Kryetari i Shtetit, Stevo Pendarovski, kërkon hetim të shpejtë dhe pa ndikime anësore për rastin "Zhvatja"...

Kryetari i Shtetit, Stevo Pendarovski, kërkon hetim të shpejtë dhe pa ndikime anësore për rastin "Zhvatja", teksa mohoi të ketë ndonjë ndikim politik për atë se në cilin drejtim duhet të shkojë hetimi.
 
Presidenti ishte decid se ai nuk do të ndikojë apo bëjë shtypje në punën e organeve gjyqësore, teksa shtoi se në vend ekziston ambient në të cilin politika nuk përzihet në punën e gjykatave dhe prokurorive dhe se tani më askush nuk është i frikësuar nga politika që t’i paraqesë rastet korruptive.
 
Ai tha se presidentit nuk i takon të komentojë çdo fazë të rastit, ndërsa theksoi se e rëndësishme është që procedura ka filluar ndërsa pjesa tjetër u ngelet organeve hetuese.
 
“Me rëndësi ishte se filloi dhe pamë disa aktivitete të rëndësishme dhe tani ngelet të vazhdojnë më tej organet kompetente. Përsëris se unë dhe të gjithë ne që në këtë moment jemi politikanë, duam të shohim hetim të shpejtë dhe thelbësor. Hetim në të cilin nuk do të ndjehen ndikime anësore as nga bashkësia e biznesit e as nga politikanët. Në bazë të të gjitha informatave që kemi nga strukturat kompetente qeveritare, gjithashtu nuk ka ndonjë ndikim politik se në cilin drejtim të shkojë hetimi, të paktën deri në këto momente kjo nuk më është e njohur”,- deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.   
                                                
Pasi prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, demantoi informatat se kryeministri Zaev është përmendur në dëshminë e Orce Kamçevit për rastin "Zhvatja", kryeministri deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë në prokurori.                              
 
“Nuk kam pranuar ftesë, gjithsesi jam në dispozicion për cilëndo kohë. Unë jam këtu, në vend”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.             
                                                      
Pas arrestimit të prokurores speciale, Katica Janeva, si e dyshuar në rastin “Zhvatja”, prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion para Këshillit të Prokurorëve prezantoi dëshmitë dhe procesverbalet për involvim të Janevës në këtë rast.
 
Edhe pas shtatë orëve shqyrtim të dëshmive të lartpërmendura, Këshilli i Prokurorëve nuk arriti që të vendos rreth inicimit eventual të propozimit për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva. Seanca e radhës ku do të diskutohet për këtë çështje do të mbahet të enjten.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI