Maqedoni
Zaev: Ligji i Prokurorisë, do të ishte mirë me konsensus; Mickovski: Ligji i Prokurorisë, nuk pres asgjë të re nga Qeveri; Pendarovski: Ndihma e profesionistëve të huaj, ndikim pozitiv
28.08.2019 17:47
Sistemi i Prokurorisë Publike duhet të rregullohet patjetër, por kjo nuk nënkupton që megjithatë të merret vendim në momentin e fundit...

Kështu ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, sa i përket miratimit të propozim Ligjit për Prokurori Publike, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, si ligj me prioritet për integrimin europian. Kreu i ekzekutivit beson se do të arrihet konsensus për këtë çështje, sipas tij, që ka rëndësi të madhe për sistemin gjyqësor.
“Vendim më i mirë dhe më i shëndoshë është ai që do të sillet me konsensus, ashtu siç shkruan përpiluesi i kushtetutës dhe ligjit, pra me 2/3 e votave më së paku, ndërsa unë besoj se me konsensus mund të arrihet kjo çështje, me qëllim që edhe ky segment i rëndësishëm i gjyqësorit, pra edhe veprimtaria e Prokurorinë Publike të garantohet në të ardhmen”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në drejtim të reformave gjyqësore, kreu i VMRO-DPMNE-së thotë se nuk pret asgjë të re nga qeveria, e sidomos nga ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska.
“Qëllimi i vetëm i saj është të gjejë mënyrë për të ndarë llogaritë me ata politikanë që mendojnë ndryshe. Për fat të keq, Deskovska si profesoreshë universitare lëshoi rastin për t’u paraqitur nën dritën e vërtetë para qytetarëve, respektivisht të vë në prioritet reformat në vend të urrejtjes personale dhe gjykimeve”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkohë, kreu i shtetit, Pendarovski, duke komentuar idenë e Aleancës për Shqiptarët për të pasur një prokuror special të jashtëm, thotë se ide të tilla ka pasur edhe më herët, por juridikisht thotë se nuk e di nëse kjo lejohet. Gjithsesi, pranon se ndihma e profesionistëve të huaj në sistemin gjyqësor do të ndikonte pozitivisht në vendin tonë.
“Në parim nuk kam pasur asnjëherë problem me përzierjen e të huajve nëse janë kompetentë dhe profesionistë në çfarëdo lloj fushe. Fundja shohim se kemi vetë ndikim pozitiv nga përzierja e politikanëve të huaj, nga NATO, BE dhe shtetet partnere. Nuk e di nëse kjo është e mundur, megjithatë duke folur sipas parimit, do të doja të ketë përfshirje më të madhe të personave profesionistë të huaj në përkrahjen e sistemit tonë gjyqësor”,- tha kryetari i shtetit, Stevo Pendrovski.
Nëse nuk miratohet Ligji për Prokurorinë Publike që ngërthen edhe fatin e PSP-së, ministrja Deskovska nuk ka përjashtuar mundësinë për shfrytëzimin e metodave të tjera juridike, me qëllim për ta zhbllokuar procesin e miratimit të Ligjit për Prokurori, i cili momentalisht paraqet pengesë kryesore për dhënien e datës për bisedime në tetor.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
