BDI: Nuk marrim vendime për përfitime të ulëta politike
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ndaj disa informacioneve të plasuara në disa media, se ndryshimin e emrave të shkollave në Çair e pengon kryeministri, Nikolla Gruevski...
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ndaj disa informacioneve të plasuara në disa media, se ndryshimin e emrave të shkollave në Çair e pengon kryeministri, Nikolla Gruevski, me kërcënime për prishjen e harmonisë së koalicionit qeveritar.
Nga BDI-ja thonë se pjesëmarrjen në Qeveri e përcakton vetëm vullneti i qytetarëve, i shprehur në zgjedhje demokratike. Maqedonia, pas vitit 2001 ka përqafuar realitetin dhe po përforcon karakterin multi-etnik të Shtetit, si vlerë e shtuar për stabilitetin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së.
Kjo nënkupton edhe ndryshim të vlerave të trashëguara të sistemit të njëmendësisë dhe përafrim me dëshirat dhe pritjet e komunitetit shumicë në komunat përkatëse.
“Për t’i realizuar këto ndryshime të vlerave të imponuara me dekada të tëra nga një sistem përjashtues për shqiptarët, nevojitet punë e përbashkët e përfaqësuesve legjitim të të dy komuniteteve shumicë në vend. Vullneti i vetëm që mund ta përcakton këtë legjitimitet dhe pjesëmarrjen e një subjekti politik në Qeveri, është vullneti i sovranit i shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike”- thuhet më tej në kumtesë.
Sa i përket çështjes së emrave të shkollave, “Bashkimi Demokratik për Integrim trajton çështjet në mënyrë parimore dhe në përputhje me pritjet e qytetarëve, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollat përkatëse, por, assesi për përfitime të ulëta politike”. Emrat u ndryshuan për arsye se këtë e deshën prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit, e jo dikush tjetër. Ne nuk e kemi mendjen që çdo të hënë t’i ngremë tabelat e emrave se kjo nuk do të ketë asnjë vlerë për qytetarët dhe nuk e ndihmon fare procesin edukativo-arsimor, thonë nga BDI.
