Maqedoni

Ligji për PTHP-në në Komisionin për Çështje Europiane

29.08.2019 09:18

Propozim-Ligji për Prokurori Publike dhe propozim-Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit të Këshillit të Prokurorëve Publikë...

Propozim-Ligji për Prokurori Publike dhe propozim-Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, sot do të jenë në rend dite të seancës së Komisionit për Çështje Europiane.

Të dy ligjet janë me procedurë të shkurtër, por ritmi i miratimit varet nga arritja e marrëveshjes mes pushtetit dhe opozitës, pasi që me Ligjin për Prokurori Publike definohet edhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike.

Që nga propozimi i Ligjit nga kryeministri Zaev, opozita maqedonase ka kundërshtuar që në krye të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit të Lartë të jetë e propozuara me ligj, Vilma Ruskovska.

Në seancën plenare të 27 gushtit, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, deklaroi se nëse nuk sigurohet shumica për Ligjin për Prokurori Publike, të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do t’i marrë dhe do t’i vazhdojë një prokurori tjetër.

Ose, zgjidhje për funksionim e Prokurorisë Speciale do të gjendet me ndryshim të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë.