Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, fillon procedura për shkarkimin e Janevës
29.08.2019 15:53
Këshilli i Prokurorëve Publikë ka vendosur njëzëri se janë plotësuar kushtet për fillimin e procedurës...

Këshilli i Prokurorëve Publikë ka vendosur njëzëri se janë plotësuar kushtet për fillimin e procedurës për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva. Këtë pas seancës e njoftoi kryetari i Këshillit, Kole Shterjev, sipas të cilit, pas shqyrtimit të materiale të shumta nga hetimi, Raporti i përgatitur dorëzohet në Kuvend dhe i njëjti do të përmbajë të dhëna të mjaftueshme që deputetët të kenë qasje në situatën faktike.
“Deri në këtë moment vendimi është njëzëri dhe se raportin gjatë ditës së sotme do të mundohemi ta përfundojmë. Sot ose nesër do të dorëzohet në Kuvendin republikan”,- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterjev.
Shterjev nuk deshi të japë përgjigje rreth Ligjit për PSP-në nëse shkarkimi i Janevës shkarkon edhe të gjithë prokurorët tjerë specialë.
“Neni 9, paragrafi 3 apo 4, aty ashtu disi qëndron, ju interpretoni atë vetë, unë nuk e interpretoj. Aty shkruan se mandatet e prokurorëve publikë nuk mund të tejkalojnë mandatin e prokurores speciale”,- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterjev.
Shterjev nuk komentoi as mundësinë se paralajmërimet për ndryshime në Ligjin e Këshillit të Prokurorëve mund të parashohin zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së prokurores speciale nga Këshilli i prokurorëve. Sipas tij, ai nuk ka njohuri se në çfarë kahje do të shkojnë ndryshimet e Ligjit. Pas shqyrtimit të raportit në Komision, me pajtim paraprak të katër partive më të mëdha, Kuvendi në seancë plenare me dy të tretën e votave dhe shumicë badenteri duhet të vërtetojë propozimin formal për shkarkimin e Janevës, i cili për zgjidhje përfundimtare do të kthehet përsëri në Këshillin e Prokurorëve.
`Fillimi i procedurës për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva, nga Këshilli i Prokurorëve vjen në rrethana kur Janeva ndodhet në paraburgim nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare dhe i ka mundësuar të dyshuarit, Orçe Kamçev, në rastin "Perandoria" që të dalë nga paraburgimi dhe t’i kthehet pasaporta.
FLORIJE BELULI KAMBERI
