Maqedoni
Viti akademik 2019-2020, Katedra e gjuhës shqipe në Shkup këtë vit akademik regjistron 115 studentë të rinj
29.08.2019 16:33
Në universitetet publike të vendit në rrjedhë e sipër është konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019/2020....

Regjistrimi i studentëve po bëhet edhe në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare pranë fakultetit filologjik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku sipas konkursit të shpallur, do të regjistrohen gjithsej 115 studentë në dy drejtime studimore. Siç bëjnë të ditur nga kjo katedër, në drejtimin arsimor do të regjistrohen gjithsej 25 studentë në kuotën shtetërore, 25 me kofinancim dhe 5 studentë me korrespodencë.
Ndërsa në drejtimin përkthim dhe interpretim do të regjistrohen 30 studentë që gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare edhe atë 15 në kuotë shtetërore dhe 15 me kofinancim. Në drejtimin përkthim dhe interpretim do të regjistrohen edhe 30 studentë që gjuhen shqipe nuk e kanë gjuhë amtare edhe atë 15 në kuotë shtetërore dhe 15 me kofinancim. Kandidatët thonë se kanë vendosur të regjistrohen në drejtimet që ofron Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Shkup, me shpresë se pas përfundimit të fakultetit do të vijnë më lehtë te vendi i punës.
“Albanologji. Drejtimi: përkthyes. Për punësim më shumë shans nëse e kryen fakultetin me sukses”,- tha një student.
“Dua të regjistrohem në drejtimin gjuhë shqipe”,- theksoi një studente.
Zyrtarët e regjistrimit thonë se ka interesim të theksuar të studentëve për t’u regjistruar në këtë fakultet, ku interesim i theksuar vërehet edhe për regjistrim në drejtimin e gjuhës angleze, pranë këtij fakulteti.
“Siç e shihni, ka studentë, gjithçka po shkon mirë, interesimi për t’u regjistruar është në nivel në Fakultetin filologjik”,- u shpreh ARDIN Arsovski nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”-Shkup.
“Gjuhë angleze. Është fakultet shtetëror dhe drejtimi që më pëlqen më së shumti”,- tha një nxënëse.
Afati i parë i regjistrimit do të përfundojë të premten, ndërsa afat të dytë do të ketë vetëm në fakultetet, përkatësisht drejtimet studimore ku do të mbeten vende të lira.
GYLTENE SINANI
