Maqedoni
ShGM: Të rritet numri i korrespodentëve
29.08.2019 17:02
Numri i korrespodentëve që punojnë për mediat e vendit është tejet i ulët për shkak kushteve dhe mjeteve financiare....

Shumica e korrespondentëve punojnë me kontrata pune të caktuara, gjë që bën që ata të ndjehen të pasigurt, u mungojnë pajisjet e punës dhe përballen me presione nga qendrat e ndryshme të pushtetit, theksuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Nga ShGM kërkojnë që mediat elektronike kombëtare si dhe mediat e shkruara të rrisin numrin e korrespodentëve dhe t’i punësojnë ata më kohë të plotë, sepse me rritjen e numrit të korrespodentëve sigurojmë informacione të sakta dhe në kohën e duhur.
“Analizat tregojnë se ekziston një nevojë e madhe për legjislacion që do të kërkojë nga të gjitha mediat kombëtare të angazhojnë korrespondentë. Disa nga rekomandimet në lidhje me Radiotelevizionin e Maqedonisë dhe Agjencinë e Informimit të Mediave ishin që të sigurojnë korrespodencë në secilin prej tetë rajoneve të planifikimit, ndërsa t'u sigurojnë punonjësve kushte teknike për punë dhe punësim me kohë të plotë, me një kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar”,- tha kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
Nga ShGM theksojnë se mediat e shkruara duhet të kenë së paku tre korrespondentë në nivelin kombëtar. Televizionet që mbulojnë të gjithë territorin prej 30 punonjës, katër duhet të jenë korrespondentë me kohë të plotë dhe TV kabllor prej 10 të punësuarve, dy duhet të jenë korrespodentë. Në këtë kontekst të theksojmë se në kuadër të ndryshimeve programore, TVM parasheh hapjen e 10 korrespondenturave të reja me studio të kompletuara.
REJHANE BUSHI METAJ
