Maqedoni

Dimovski: Nisma për shkarkimin e Janevës, vendim ligjor i Këshillit të Prokurorëve

29.08.2019 17:45

Kryetari i Komisionit kuvendor për zgjedhje dhe emërime....

Kryetari i Komisionit kuvendor për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski ka mirëpritur fillimin e procedurës për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva, nga Këshilli i Prokurorëve. Ai thotë se me këtë vendim, Këshilli u ka rezistuar presioneve politike duke vepruar në bazë të ligjit. 
 
“Këshilli i Prokurorëve për kohë të gjatë është nën presionin politik nga qendrat e caktuara të forcës së Maqedonisë dhe tash për tash pati sukses të largohet dhe të veprojë strikt ashtu siç parashohin ligjet, veçanërisht ligj për Prokurori Speciale. Apeloj Këshillin e prokurorëve të veprojnë me përgjegjësi edhe në procedurat e ardhshme, me qëllim që sadoqoftë  të mundohemi  në pozita bazë të kthehet ngadalë besimi në sistemin gjyqësor, edhe pse me udhëheqjen e LSDM-së është eliminuar sistemimi i drejtësisë”,- tha kryetari i Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje, Ilija Dimovski.
 
Dimovski sqaron edhe situatën nëse nuk miratohet Ligji i ri i Prokurorisë Publike deri në mesin e shtatorit kur Janevës i mbaron mandati. Ai thotë se ende ka kohë dhe nuk mund të flitet nëse do të arrihet miratimi i ligjit brenda dy javësh, por sqaron se procedura për emërimin e prokurorit special të ri është e komplikuar, sepse nevojitet pajtueshmëri mes katër partive politike, votim me 2/3 e votave përfshirë badenterin, vërtetime nga Këshilli i Prokurorëve dhe procedura tjera.
 
“Nëse vijmë në atë situatë të mos arrihet ligji i ri dhe t’i kalojë mandati apo të shkarkohet Janeva, atëherë parlamenti ka obligim të fillojë procedurën e re për zgjedhjen e prokurorit të ri special. Por, kjo është shumë hipotetike, edhe pse s’kemi shumë kohë, diku 15 ditë. Do të shohim këto ditë si do të zhvillohen proceset, edhe në suaza gjyqësore  edhe politike, e pasta j do ta komentojmë”,- tha kryetari i Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje, Ilija Dimovski. 
                                                 
Pasi që parlamenti ta pranojë raportin e Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e prokurores speciale Janeva, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime dorëzon propozimin për shkarkimin e  prokurores Janeva dhe më pas caktohet seancë kuvendore për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva, nga funksioni që ka bartur nga vitit 2015. Dimovski njëherit thotë se megjithëse në kuvend ende nuk ka arritur raporti i Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e Janevës, konsultimet me kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe koordinatorët e grupeve punuese tashmë kanë filluar.   
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU