Maqedoni

Lisiçe e re, dy fëmijë qëndruan me orë të tëra në veturë

29.08.2019 18:03

Dy fëmijët e braktisur nga babai i tyre në parkingun e lagjes Lisiçe e re të Shkupit janë në gjendje të mirë shëndetësore...

Dy fëmijët e braktisur nga babai i tyre në parkingun e lagjes Lisiçe e re të Shkupit janë në gjendje të mirë shëndetësore, thonë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup. Dy fëmijë të moshën 4 dhe 7 vjeçare ishin mbyllur në makinë nga ana e babait të tyre dhe aty qëndruan me orë të tëra. Atyre në ndihmë u dolën qytetarët të cilët me ndihmë të policisë dhe ndihmës së shpejtë i kanë dërguar në klinikë. Nga Klinika për Fëmijë konfirmojnë se fëmijët të frikësuar dhe me dehidrim të lehtë janë sjellë në spital, rreth orës 23:00. Për momentin fëmijët janë në gjendje stabile dhe me to është nëna e tyre. 
 
“Në Klinikën për Fëmijë janë sjellë dy fëmijë, djalë në moshën 4 vjeçare dhe vajzë në moshën 7 vjeçare, vëlla e motër, në gjendje të vetëdijshme, të frikësuar dhe me dehidrim të lehtë. Gjatë natës dhe ditës së sotme janë mbajtur në observim. Janë realizuar analiza rutinore laboratorike të cilat kanë vlera të mira. Fëmijët janë kontrolluar dhe janë në gjendje të mirë dhe pritet lëshimi i tyre nga spitali”,- tha Vesna Micevska nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve.
 
Sipas informacioneve jozyrtare, babai i ka lënë fëmijët në makinë dhe ka shkuar në kishë për të festuar Ditën e Shën Mërisë. Për rastin është njoftuar prokurori publik dhe gjatë ditëve në vijim do të punohet për zbardhjen e plotë, informojnë nga MPB. Në bazë të dëshmive, ditëve në vijim mund të vendoset edhe për marrjen eventuale të së drejtës prindërore. 
 
ERSAN PAJAZITI