Maqedoni

SAShK: Viti i ri shkollor do të nis me grevë

29.08.2019 18:09

Sindikata e Arsimit nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin për organizimin e një greve paralajmëruese....

Këshilli i Sindikatës në fjalë ka vendosur që të hënën të mbahet kjo protestë, e cila do të jetë një shenjë revolte për vendimin e institucioneve shtetërore për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit për 5 për qind. Joakim Nedellkov nga Sindikata e Arsimit potencoi se greva e mësimdhënësve do të mbahet të hënën më 2 shtator, kur është paraparë edhe fillimi i vitit të ri shkollor. Megjithatë greva do të zgjatë vetëm një ditë, me ç’rast mësimdhënësit dhe nxënësit do të paraqiten në shkollat e tyre, por në shenjë proteste mësim nuk do të ketë.
 
“Këshilli i Sindikatës ka vendosur që të hënën të organizohet një protestë e paralajmërues për statusin social të të punësuarve në sferën e arsimit. Për ne rritja e paralajmëruar e pagave prej 5 për qind është e papranueshme, sepse konsiderojmë se kjo përqindje duhet të jetë më e lartë. Kjo rritje nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale që është realizuar në nivel shtetëror. Kemi vendosur që protesta të zgjasë vetëm një ditë, sepse po dëshirojmë t’i japim hapësirë rrugës së dialogut, ku deri në fund të shtatorit kërkojmë të dalim me një vendim të përbashkët dhe të pranueshëm se sa do të jetë rritja”,- deklaroi Joakim Nedelkov nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.
 
Nedellkovski po ashtu potencoi se qëndrimet e Sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit akoma janë larg njëra-tjetrës dhe mundësi për një zgjidhje të shpejtë janë të papakta, por jo edhe të pamundura. Sipas Sindikatës, kjo kërkesë për rritje më të madhe vjen nga të gjithë mësimdhënësit të cilët kërkojnë që punën e tyre ta bëjnë me dëshirë dhe përkushtimi i tyre të shpaguhet. Nedellkovski po ashtu thotë se Qeveria dhe MASh kanë afat deri në fund të shtatorit të pranojnë kërkesat e tyre për përmirësimin e statusit social, në të kundër greva e radhës do të zgjasë shumë më tepër.
 
Nga Ministria e Arsimit kanë vlerësuar se greva nuk duhet të organizohet me qëllim që të mos pësojnë fëmijët. Qeveria paralajmëroi rritje prej 5% të pagave të mësimdhënësve për në shtator të këtij viti, përqindje e njëjtë me rritjen e një viti më parë. Së fundmi edhe ministri i Arsimit, Ademi, paralajmëroi rritje plotësuese të pagave, por pa precizuar kur dhe sa do të rriten pagat e mësimdhënësve.
 
FITIM KRYEZIU