Maqedoni

Kosova dorëzon dokumentacionin, pas shqyrtimit, pritet heqja e masave nga RMV

30.08.2019 13:01

Ministria e tregtisë dhe industrisë së Kosovës ka dorëzuar dokumentacionin....

Ministria e tregtisë dhe industrisë së Kosovës ka dorëzuar dokumentacionin, me të cilin vërtetohet se janë plotësuar kushtet për import të lavrave të peshkut. Dorëzmi i këtij dokumentacioni ishte dakorduar në takimin e ministrave përgjegjës në Prishtinë. Me dorëzimin e këtij dokumentacioni pritet që përfundimisht të hiqen barierat e qarkullimit të lirë të disa mallrave mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë e konfirmoi edhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, para pranimit të dokumentacionit.
 
“Me arritjen e dokumentacionit të duhur ne me siguri që do të hiqnim dorë nga barrierat sa i përket industrisë së peshkut", tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.
 
Sidoqoftë, për heqje të plotë të barierës duhet të kryhet edhe inspektimi i dokumentacionit nga ana e ekspertëve. 
 
“Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë javës së ardhshme do të inspektojë dokumentacionin e paraqitur nga Agjensia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe do të kryejë kontroll në vend, pas çka nëse identifikohet se janë hequr mospajtimet, do të marrë vendim që të lejojë importin lavrave të peshkut nga Kosova”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë. 
 
Ribalanci i buxhetit, Bekteshi: Mjetet financiare do të shtohen 
 
I pyetur ndërkohë rreth ribalancit të buxhetit Bekteshi ka mohuar që në resorin e ekonomisë do të ketë shkurtim mjetesh. 
 
"Në Ministrinë e Ekonomisë  nuk do të ketë shkurtim mjetesh, përkundrazi do të fitojmë më shumë mjete marrë parasysh interesin e madh të qytetarëve për masat që ne implementojmë”, tha Bekteshi.
 
Nga 1 tetori Ministria e Ekonomisë do të fillojë me subvencionimin edhe të përfshirjes së aparaturave për gaz nëpër makina. 
 
ERSAN PAJAZITI