Greqi, masa të reja për migrantët

31.08.2019 19:08

Greqia ka marrë vendim që të shtojë masat e sigurisë në kufijtë e saj....

Greqia ka marrë vendim që të shtojë masat e sigurisë në kufijtë e saj dhe do të zhvendosë migrantët nga kampet që gjenden në ishujt grek, në përpjekje për t’u përballur me valën e re të migrantëve.

Këshilli i Qeverisë për Çështje të Jashtme dhe Mbrojtje ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas arritjes së një numri të madh të migrantëve në Greqi gjatë kësaj jave. Qeveria greke tha sot se përveç zhvendosjes së azilkërkuesve nga kampet që gjenden në ishuj, e që janë të mbingarkuar, po ashtu do të rrisë sigurinë në kufi. Kjo gjë, sipas Athinës zyrtare, do të bëhet në bashkëpunim me agjencinë e Bashkimit Evropian, Frontex, por edhe me NATO-n.

Po ashtu, Greqia do të rrisë patrullat në kufi, me qëllim që të identifikojë azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar azili, por që vazhdojnë të qëndrojnë në këtë shtet. Poashtu shkurtohet procedura e azilit – që mund të zgjasë për disa muaj – dhe do të hiqet faza e apelimit për azilkërkuesit që u është refuzuar azili dhe të cilët do të deportohen.

Njëherit Qeveria greke ka njoftuar se do të bashkojë 116 fëmijë me familjet e tyre, që gjenden në vende të tjera evropiane.