Kriza politike në Shqipëri, Krasniqi: Zgjidhja me ndihmë ndërkombëtare

01.09.2019 17:56

Kriza ne Shqipëri duket se ka hyre në një rrugë pa krye....

Kriza ne Shqipëri duket se ka hyre në një rrugë pa krye. Nga njëra anë qëndron opozita dhe presidenti, të cilët vazhdojnë të mos i njohin zgjedhjet e 30 qershorit e nga ana tjetër mazhoranca e cila pretendon të kundërtën, duke thënë shkurt e qartë se më 13 tetor nuk do të ketë zgjedhje vendore, përkundër asaj që ka dekretuar presidenti i Republikës.

Kjo situatë, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve politike Afrim Krasniqi, nuk është aspak premtuese për Shqipërinë, në kushtet kur ajo po pret një “po” për çeljen e negociatave.

Në një intervistë për TVM2, Krasniqi thotë se zgjidhja e mundshme do të vijë nga ndërmjetësit e huaj. Dhe kjo zgjidhje do të finalizohet me zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm.

Krasniqi, e sheh mjaft të vështirë pozicionin aktualk të kryeministrit Edi Rama, dhe disi më të lehtë atë të kryedemokratit Lulzim Basha.

Për rrjedhojë, sugjeron analisti politik, kompromisi, i cili duhet të jetë më afatgjatë se ai i vitit 2017, duhet të vijë pikërisht nga dy partitë e mëdha.

Rolin e Presidentit Ilir Meta, Krasniqi nuk e sheh shumë produktiv, në kushtet kur mungojnë nismat për të zgjidhur krizën. Ndërsa ai shprehet se nuk ka gjasa për zgjedhje më 13 tetor.

Duke iu referuar rastit të kryebashkiakëve të inkriminuar, Afrim Krasniqi thotë se vetëm krijimi i prokurorisë së posaçme Antikorrupsion, shkurt SPAK, do të mund të vendosë drejtësi.

Nisur nga këto rrethana, drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve politike në Shqipëri e sheh disi të zymtë pozicionin e Shqipëri së lidhur me negociatat, ndërsa shumë më komod atë të Maqedonisë së Veriut.

Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë të hënën e 2 shtatorit. Ndërsa vjeshta nuk pritet të jetë e qetë në Shqipëri, ku Partia Demokratike ka paralajmëruar protesta të vazhdueshme. (Luljeta Ndoka, TVM2)