Viti shkollor po fillon, prindërit hapin kuletën, fillojnë harxhimet

01.09.2019 17:15

18.560 nxënës do të ulen sivjet në klasën e parë...

18.560 nxënës do të ulen sivjet në klasën e parë. Entuziazmi i tyre padyshim që ka filluar para se të nisë zyrtarisht viti shkollor,  bashkë me kokëdhimbjen e prindërve që duhet të ndajnë para plus nga buxheti shtëpiak, për t’ua bërë sa më të paharrueshëm fillimin e rrugës së gjatë të diturisë.

Sa kushton fillimi i shkollës për një familje. Varësisht nga xhepi. Çanta ka edhe të lira edhe të shtrenjta, e njejta vlen edhe për fletoret, lapsat, vizoret e çdo gjë tjetër që duhet për të kompletuar një shkollar.

Për fat të mirë, nga buxheti për shkollë ka vite tashmë që nuk llogariten harxhimet për librat të cilat jepen falas e duhet të kthehen në fund të cdo vitit shkollor.

“Kemi çanta prej 300 deri në 600 denarë, varet prej kualitetit. Një komplet për klasë të parë mundë të kushtoj 1200 denarë, ndërsa më e shtrejta mundë të arrijë deri në 1500 denarë, gjithçka varet se çfarë do. Por qytetarët nuk kanë të holla dhe ata janë më të interesuar për gjëra më të lira” – tha shitësi, Zuri Imeri.

Por nuk janë vetëm mjetet shkollore. Fëmijës i blehen rroba e këpucë të reja. Jo sepse ka një rregull të shkruar,  por sepse çdonjëri nga ne dëshiron që fëmija të duket bukur të paktën ditën e parë të shkollës.

Në disa shkolla, duhen paguar edhe paratë për uniforma.

“Për tu përgaditur një fëmijë për klasë të parë duhet së paku 50 euro, por ne me financa jemi dobët”.

“Çmimet janë reale por ne i shohim gjërat më të lira për ti blerë se aq kemi mundësi” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Pas ditës së parë të shkollës, asgjë më nuk varet nga harxhimet që bëjnë prindërit për mjete shkollore, por nga vullneti i tyre dhe i fëmijës, për të pasur sukses. Dita e parë e shkollës është zyrtarisht  ditë jo pune për prindërit që punojnë në administratë dhe kanë fëmijë në klasë të parë.  Për ta shfrytëzuar këtë të drejtë ligjore, mjafton të lajmëroni në kohë punëdhënësin. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)