Maqedoni
Rasti “TNT”, mbrojtja e prerë: Janevës t’i merren kompetencat. Stavrev: Përgjegjës për lëndën është prokurori Rustemi
02.09.2019 16:06
Avokatët mbrojtës të të pandehurve në rastin TNT, edhe zyrtarisht kërkojnë marrjen e kompetencave për këtë rast të kryeprokurores në largim...

Avokatët mbrojtës të të pandehurve në rastin TNT, edhe zyrtarisht kërkojnë marrjen e kompetencave për këtë rast të kryeprokurores në largim, Katica Janeva.
Kërkesa zyrtare i është dërguar tashmë Kuvendit, Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Gjykatës.
Në seancën gjyqësore kushtuar rrënimit të objektit “Kosmos” të afaristit Fiat Canovskit, Elenko Milanov, avokati mbrojtës i disa të dyshuarve tha se Janeva nuk ka më kredibilitet për të përfaqësuar këtë rast, andaj ata u shprehën të vendosur që këtë të drejtë ta kërkojnë dhe fitojnë nëse ka nevojë edhe në më shumë institucione.
Gjykatësi, Ognen Stavrev, sqaroi se nuk e ka ndërmend për herë të dytë të vendosë për diçka për të cilën tashmë ka një vendim në bazë të kërkesës së kryeprokurorit publik, Ljubomir Jovevski.
Konstatoi se kjo çështje është e absolvuar dhe këtë lëndë e përfaqëson prokurori special, Burim Rustimi. Pas ndërprerjes njëorëshe të gjykimit për shkak të mungesës së urdhëresës për të sjellë Mile Janakievskin nga burgu, gjykimi vazhdoi me dëshminë e Sonja Manevskës, të punësuar në komunën e Gazi Babës.
PSP në rastin “TNT” akuzon ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ish-ministrin e transportit dhe lidhjeve, ish-kryetarin e komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovskin, Elizabeta Najdovskën, Naser Alevin, Marika Zafirovskën dhe Aleksandra Dimitrievën se kanë kryer vepër penale “urrejtje politike” për rrënimin e kompleksit “Kosmos” të Fiat Canovskit. Gjykimi i radhës është caktuar më 11 shtator.
REXHEP QAMILI
