Kërçovë, filloi viti i ri shkollor, një pjesë e shkollave mbështesin këshillin grevist

02.09.2019 19:16

Greva e organizuar nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në rajonin e Kërçovës....

Greva e organizuar nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në rajonin e Kërçovës, u mbështet pjesërisht, sepse nga disa shkolla të cilat nuk janë anëtare të sindikatës, këtë vit shkollor e filluan me procedurat e zakonshme të fillimit të procesit mësimor.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019-2020, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i ka vizituar të gjitha shkollat e këtij rajoni, duke iu uruar nxënësve dhe arsimtarëve një fillim të mbarë, përkushtim dhe punë serioze gjatë këtij viti mësimor. Ai me këtë rast u takua edhe me anëtarët e Këshillit grevist të shkollave të këtushme dhe u solidarizua me kërkesat e tyre për një standard më të lartë të punonjësve arsimor në shkollat tona.

Me këtë rast kreu i komunës, Fatmir Dehari, apeloi për angazhim maksimal dhe punë të përkushtuar në edukimin e gjeneratave të reja dhe potencoi se me një angazhim serioz gjatë periudhës së kaluar, krahas investimeve në fushën e arsimit, borxhi i shkollave në komunën e Kërçovës është ulur për 60 për qind. Dehari ka përgëzuar edhe fillimin me punë të Çerdhes së fëmijëve “Dallëndyshja” në Kërçovës, e ndërtuar me ndihmën e organizatës turke “Tika”. (Shaban Dalipi, TVM2)